“Djathi i Sharrit” është regjistruar si emërtim i mbrojtur i origjinës sipas Ligjit për Treguesit Gjeografikë dhe Emërtimet e Origjinës. Përmes kësaj, është bërë mbrojtja e këtij produkti vendor, ka konfirmuar Ministria e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
"Kosova për herë të parë në histori të saj regjistron Treguesin Gjeografik – “Djathi i Sharrit” si Emërtim i Mbrojtur i Origjinës sipas Ligjit për Treguesit Gjeografik dhe Emërtimet e Origjinës Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Agjencia Për Pronësi Industriale, për herë të parë në Republikën e Kosovës, ka nxjerrë vendim për mbrojtjen e një produkti vendor, Djathit të Sharrit, duke u bazuar në Ligjin Për Treguesit Gjeografik dhe Emërtimet e Origjinës", thuhet në njoftimin e MINT-it.
"Kjo mbrojtje kontribuon në identifikimin e zonës unike që prodhon një produkt të veçantë duke e dalluar nga djathërat e tjerë e poashtu promovon prodhimin vendor dhe traditën e gatimit të djathit në Kosovë, dhe i ndihmon konsumatorët në sigurinë e cilësisë dhe origjinën e djathit të prodhuar në këtë rajon. Me këtë mbrojtje, përdorimi i emrit “Djathi i Sharrit” përkatësisht mekanizmat e certifikimit dhe kontrollit të prodhimit do të sigurojnë standardet e cilësisë për këtë produkt", vijon njoftimi i MINT-it.
Avokati Veli Hoti ka thënë se për herë të parë është bërë mbrojtja e një produkti vendor, tradicional dhe me interes kombëtar.
“Kosova për herë të parë në histori të saj regjistron Treguesin Gjeografikë – ‘Djathi i Sharrit’ si Emërtim i Mbrojtur i Origjinës sipas Ligjit për Treguesit Gjeografikë dhe Emërtimet e Origjinës. Djathi i Sharrit është Emërtimi i Parë i Regjistruar ndonjëherë në Republikën e Kosovës dhe në Historinë e Kosovës. Kjo mund të vërehet se Numri i Vendimit është Nr. Regj: 01, Nr. KS/TGj-EO/2020/4699”, ka shkruar ai në Facebook.
Hoti ka shpjeguar gjithë procedurën që është dashur të merret për të aplikuar, ndërsa ka theksuar se hapi i radhës do të jetë mbrojtja e këtij djathi në Bashkimin Evropian.
“Falë përkushtimit të të gjithë atyre që janë angazhuar në Hartimin dhe Miratimin e Specifikacioneve të Produktit të Sharrit, Përcaktimit të hapësirës gjeografike të rajonit ku do të prodhohet Djathi i Sharrit, prej vitit 2013 deri në vitin 2020 është arritur që të kompletohet aplikacioni për aplikim pranë Agjencisë për Pronësi Industriale. Më në fund, ky vendim sot i dorëzohet Prodhuesve të Djathit të Sharrit, si një konfirmim që historia e Djathit të Sharrit tani më është e vulosur, protokolluar dhe arkivuar”.
Edhe
Shehu për vendimet e Ministrisë së Bujqësisë: Nuk guxon të quhet djathë nëse nuk ka përmbajtje 100% qumësht
Ligji për Treguesit Gjeografik dhe për Emërtimet e Origjinës e përkufizon në këtë mënyrë emërtimin e origjinës:
“Emërtim origjine - emrin e një rajoni, të një vendi specifik apo në raste të veçanta, emri i një shteti, i cili përdoret për të përshkruar një produkt që ka origjinë nga ai rajon, vend specifik ose shtet, cilësitë ose karakteristikat e të cilit janë esencialisht ose ekskluzivisht si rezultat i një mjedisi gjeografik të veçantë me faktorët natyrorë dhe njerëzorë të trashëguar nga ky mjedis, dhe si rezultat i prodhimit, përpunimit dhe përgatitjes së produktit e cila zhvillohet tërësisht në zonën e përcaktuar gjeografike”.