Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ditmir Bushati në PIKË me Veton Surroin

Në episodin e 67-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati. 

Bushati: Protestat në Shqipëri synojnë një Shqipëri krejt tjetër, jo vetëm rrëzimin e Ramës

1 muaj më parë / 4 tet 2026 21:08
ditmir bushati

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka thënë se protestat që po zhvillohen në Shqipëri nuk janë thjesht një lëvizje kundër kryeministrit Edi Rama, por një lëvizje që synon ndryshimin e modelit të qeverisjes dhe krijimin e një “Shqipërie krejt tjetër”.

Duke folur në podcastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, Bushati ka thënë se lëvizja protestuese po kërkon një “fushë loje” të barabartë në politikë dhe se kërkesa për ndryshim lidhet me mënyrën se si është zhvilluar sistemi politik në Shqipëri.

“Mendoj se kemi të bëjmë me një lëvizje që synon një Shqipëri krejt tjetër. Pra, jo më kot flasin për një Shqipëri të re apo modelin e një Shqipërie të re. Kemi të bëjmë me një lëvizje e cila po kërkon një fushë loje. Në Shqipëri mungon për momentin fusha e lojës”, ka thënë Bushati.

Sipas Bushatit, procesi i mungesës së mekanizmave të kontrollit politik ka nisur që nga viti 2017, kur Shqipëria kaloi nga një qeveri koalicioni në një qeveri njëpartiake.

Ai përmendi edhe vendimin e atëhershëm të Partisë Demokratike për djegien e mandateve, që sipas tij çoi në një parlament “totalisht njëngjyrësh”, si dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale, pas të cilit Partia Socialiste mori të gjithë pushtetin vendor. Bushati e cilësoi djegien e mandateve si “një gabim historik të lidershipit të Partisë Demokratike të kohës”.

Bushati: Politika shqiptare nuk e njeh Serbinë, raporti i ngushtë Tiranë-Beograd është i gabuar

1 muaj më parë / 4 tet 2026 20:56
ditmir bushati

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka kritikuar qasjen e politikës shqiptare ndaj Serbisë, duke thënë se raporti i ngushtë mes pushtetit në Tiranë dhe atij në Beograd është “artificial në rastin më të mirë dhe i gabuar në rastin më të keq”.

Duke folur në podcastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, Bushati u shpreh se politika shqiptare në përgjithësi nuk e njeh mjaftueshëm Serbinë dhe se për ta kuptuar atë duhet parë edhe përmes perspektivës së Kosovës.

“Duhet të them që përgjithësisht politika shqiptare nuk e njeh Serbinë. Është artificiale në rastin më të mirë dhe është e gabuar në rastin më të keq, kjo lidhje e ngushtë mes pushtetit në Serbi dhe pushtetit në Shqipëri”, ka thënë Bushati.

Sipas tij, pushteti në Serbi e ka shfrytëzuar këtë raport për të krijuar dallime mes shqiptarëve, duke paraqitur shqiptarët e Shqipërisë si “të mirë dhe modernë”, ndërsa shqiptarët e Kosovës si “kokëfortë” e “të pagdhendur”.

Bushati shtoi se ky kategorizim së fundmi është shtrirë edhe te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

“Ne nuk duhet të kemi kompleks ta themi që edhe për shkak të historisë ne nuk e njohim Serbinë dhe ne duhet ta shohim Serbinë përmes syve të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, Bushati theksoi se kjo nuk nënkupton që Shqipëria duhet të ketë qëndrim armiqësor ndaj Serbisë apo të refuzojë dialogun.

“Kjo nuk do të thotë që as mos të ulemi në tavolinë apo të kemi një qëndrim armiqësor ndaj Serbisë; kjo nuk do të thotë që të mbetemi peng apo në burgun e historisë”, shtoi Bushati.

Ai vlerësoi se historia dhe gjeografia janë dy komponentë kryesorë të politikës së jashtme dhe se këta faktorë, sipas tij, nuk po kuptohen sa duhet nga pushteti në Tiranë.

Bushati tha se raporti aktual mes Tiranës dhe Beogradit ka krijuar një “stabilitet fallco” dhe një “partneritet në vallëzim fallco”, të mbështetur në idenë se të dyja kryeqytetet janë çelësat e stabilitetit në rajon. Ai shtoi se ky raport ka pasur edhe “efekt përçarës” te faktori shqiptar në rajon dhe se nevojitet një korrigjim në vitet në vijim.

“Do ta imagjinoja apo do të dëshiroja dhe një Shqipëri me një raport më të shëndetshëm që shkon përtej raportit personal, me Serbinë”, ka përfunduar Bushati.

Bushati: Shqipëria po përjeton hemorragji njerëzore dhe tkurrje të shtresës së mesme

1 muaj më parë / 4 tet 2026 20:14
ditmir bushati

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka thënë se Shqipëria po përjeton një “hemorragji në aspektin njerëzor”, duke iu referuar largimit të madh të njerëzve nga vendi gjatë dhjetë vjetëve të fundit.

Duke folur në podcastin “PIKË” në një bashkëbisedim me publicistin Veton Surroi, Bushati ka thënë se emigrimi nuk lidhet më vetëm me motive ekonomike, siç ishte në fazat e para pas viteve ’90 dhe pas trazirave të vitit 1997, por edhe me refuzimin ndaj modelit aktual të zhvillimit pas pyetje të Surroit lidhur me ndikimin që mund të ketë pastrimi i parave, përfshirë paratë që dyshohet se burojnë nga trafiku ndërkombëtar i drogës, në strukturën e pushtetit dhe në shoqërinë shqiptare.

“Besoj se laitmotivi i kësaj bisede është i qartë në këtë pikë që ne kemi një gjakderdhje ose hemorragji në aspektin njerëzor, sepse gjatë dhjetë vjetëve të fundit shumë njerëz e kanë lënë Shqipërinë dhe kjo jo thjesht më për motive ekonomike”, ka thënë Bushati.

Sipas tij, në Shqipëri po zhvillohet një model që nuk është modernizim dhe as zhvillim harmonik me elementët e tjerë që përbëjnë ekonominë e jetës në një shoqëri.

Bushati u shpreh se gjithashtu se vendi po përjeton “një proces dramatik me tkurrjen e shtresës së mesme”, duke e lidhur këtë çështje edhe me debatin tradicional politik mes së majtës dhe së djathtës.

“Ky duhet të ishte shqetësimi kryesor për Partinë Socialiste dhe për këdo që minimalisht beson tek vlerat e qendrës së majtë”, u shpreh Bushati.