Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurin në Vlorë.
Krah homologut të tij shqiptar, Edi Rama, dhe kryeinstitucionalistëve të tjerë të Shqipërisë, Kurti ka qëndruar në qytetin historik për ceremoninë e ngritjes së flamurit në 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Në një komunikatë për media nga Kryeministria bëhet e ditur se Kurti ka uruar festën e 28 Nëntorit.
“Gëzuar gjithë shqiptarëve 28 Nëntorin, këtë festë të madhe të flamurit e të lirisë, të pavarësisë e të bashkimit për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, kudo që janë në Ballkan, e në mërgatë, në botë. Lavdi dëshmorëve të kombit! Sot është ditë pushimi dhe feste, e çdo ditë tjetër duhet të punojmë për idealet dhe synimet e Skënderbeut nga Kruja, të Ismail Qemalit nga Vlora, e të Adem Jasharit nga Prekazi", ka thënë ai.
Kurti ka thënë se 28 Nëntori është datë themeltare e identitet kombëtar e shqiptar.
“Ne ishim këtu për të bërë nderime në Vlorë me krerët institucionalë të shtetit shqiptar dhe pasdite do të jemi në Kosovë, për të bërë homazhe te varrezat e Jasharajve në krye me kryekomandantin Adem Jashari. Dje kishim ditën e ushtrisë së Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, dhe për shkak se të gjithë këto aktivitet nuk mund t’i vendosim në një ditë, do të vazhdojmë edhe nesër me ngjarje të ndryshme kulturore, artistike për nder të 28 Nëntorit, kësaj datë themeltare të identitetit kombëtar shqiptar”, ka thënë Kurti.
