Për shkak të një defekti në furnizim me energji elektrike, ekipi i ndërresës së dytë të minatorëve në Stantërg ka mbetur i ngujuar për orë të tëra. Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”, Faton Ahmeti, tha se kjo është hera e dytë brenda muajit që u ngjan minatorëve të Stantërgut
Për gati 7 orë, grupi i ndërresës së dytë të minatorëve ka mbetur i ngujuar brenda Minierës së Stantërgut të dielën mbrëma, si shkak i një defekti të furnizimit me energji elektrike.
Minatorët e ngujuar kanë qenë të shpërndarë në horizonte të ndryshme.
Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Januzi, ka thënë se këto dukuri kanë nisur të shpeshtohen brenda ndërmarrjes.
“Vetë të qëndruarit për 8 orë në punë fizike, në kushte të rënda të mikroklimës, e bën të vështirë dhe jashtëzakonisht të rëndë. Mirëpo ngarkesa tjetër që, në vend se të kthehen nga procesi i punës i lodhshëm dhe shumë i ndikueshëm në aspektin e kushteve me shku te shpija, duhet të ballafaqohesh edhe me të papriturat që janë jashtëzakonisht shumë të shpeshta si rezultat i mosinvestimeve”, ka thënë Januzi.
Ai nuk ishte në gjendje të tregojë për numrin e minatorëve të ngujuar, derisa ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”, Faton Ahmeti, ka deklaruar se kjo është hera e dytë brenda muajit që u ngjan punonjësve.
“Më 11 janar të këtij muaji, kanë ndodur disa defekte në trafo, ka qenë një defekt teknik. Aty kanë mbetur minatorët të ngujuar për më shumë se 10 orë”, ka thënë Ahmeti.
Minatorët në Stantërg kohëve të fundit kanë shprehur pakënaqësi edhe për kushtet e punës, vonesat e pagave e të tjera.