Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Disa lagje në Gjilan mbesin pa ujë shkaku i dëmtimit të gypit kryesor

Është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për disa lagje në qendrën e qytetit në Gjilan meqë është dëmtuar gypi kryesor i ujësjellësit.

Kompania private e ndërtimit, e cila është duke zhvilluar punimet për zgjerimin e rrugës në qendrën e qytetit, gjatë punimeve ka prekur gypin kryesor të ujësjellësit duke e dëmtuar atë.

Ekipet e kompanisë regjionale të ujësjellësit “Hidromorava” janë duke punuar në sanimin e dëmit.

Drejtori për punë teknike në këtë kompani, Mumin Morina deklaron se ata kanë zhvilluar biseda edhe me komunën e Gjilanit dhe se janë pajtuar që gypi i cili është i dëmtuar të zëvendësohet me një gyp të ri dhe në këtë mënyrë të përmbyllen edhe punimet në infrastrukturë në qendrën e qytetit.

Ai thotë se investimi është urgjent dhe kap vlerën rreth 10 mijë euro gjersa gjatësia e gypit të vjetër është 200 metra.

Edhe Dëmtohet gypi nga gërmimet private, disa lagje dhe fshatra në Prishtinë mbesin pa ujë Arbëri Dëmtohet gypi nga gërmimet private, disa lagje dhe fshatra në Prishtinë mbesin pa ujë

“Jemi duke biseduar me komunën për ndërrimin e gypit të azbestit që është një veprim urgjent. Rruga është duke u rregulluar aty dhe nuk duhet të lëmë gypin e vjetër aty. Jemi duke punuar për riparimin e defektit ndërkaq qysh nesër do të ndërmarrim hapa për ndërrimin e gypit të ujësjellësit, ashtu siç u pajtuam me komunën sot gjatë bisedave që kemi pasur. Ekipet tona kanë punuar deri vonë dhe këtë punë do të vazhdojmë edhe nesër. Në qendër shumica e gypave janë material i ri dhe i kemi larguar gypat e azbestit. Tash do të ndërrojmë edhe këtë gyp” ka thënë ai.

Drejtuesit e kompanisë kanë kërkuar mirëkuptim nga qytetarët për këtë ndërprerje të furnizimit por sipas tyre ata janë duke punuar në sanimin e defektit në gypin primar dhe do të rikthehet edhe furnizimi me ujë.