Me vizitën e diplomatëve perëndimorë të shtunën në Prishtinë, do të rinisin përpjekjet për t’i ulur tensionet mes Kosovës e Serbisë dhe për t’i kthyer palët në tryezën e negociatave. Një ditë para takimit me pesë diplomatët euro-amerikanë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se ende nuk e di me çfarë oferte do t’i vijnë ata, por ka përsëritur se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për sulmin në veri.
Të shtunën, nga Prishtina do të marrin start përpjekjet për t’i dhënë shtytje të re dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ato nisin me vizitën e emisarëve euro-amerikanë dhe përfaqësuesve të tri vendeve të QUINT-it, e më pas do të vijojnë me diskutimet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Në fokus do të jetë situata në veri pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit e kërkesat për shtensionim, si dhe nxitja e palëve për ta zbatuar Marrëveshjen e Brukselit.
Një ditë para vizitës së diplomatëve perëndimorë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se të shtunën do ta kuptojë kërkesën dhe atë që do të ofrojnë përfaqësuesit euro-amerikanë. Por sërish e ka vënë theksin tek siguria në vend, pa të cilën ka thënë se nuk mund të ketë normalizim raportesh me Serbinë.
“Siguria e Kosovës duhet të jetë prioritet edhe për institucionet e shtetit edhe për popullin e shoqërinë. Për këtë ne punojmë ditë e natë me krejt çfarë mundemi e dimë. Është jetike për Kosovën, për demokracinë, por do të thosha edhe për rajonin e Ballkanit në përgjithësi që atë të cilët nuk e kanë ditur ose kuptuar se kush është Serbia dhe Beogradi zyrtar më në fund ta bëjnë këtë sepse nuk është Kosova ajo e cila duhet të këtë masa ndëshkuese por është Serbia ajo së cilës duhet t’i vendosen sanksione”, ka deklaruar Kurti.
Sipas kryeministrit, është Serbia ajo që ka bllokuar zbatimin e Marrëveshjes bazë.
“Ne kemi qenë përherë konstruktivë të përkushtuar kreativë dhe kurrsesi nuk ka faje apo përgjegjësi në anën tonë pse Kosova dhe Serbia nuk i kanë marrëdhëniet normale. Marrëveshja bazike e Brukselit nga 27 shkurti e ka në qendër njohjen de-facto reciproke dhe sa më parë zbatohet ajo do të kemi jo vetëm normalizm demokratik e evropian por edhe siguri për vendin tonë e për rajonin”, ka shtuar Kurti.
E, Bashkimi Evropian ka njoftuar se vizita e pesëshes euro-amerikane ka për qëllim progresin konkret në zbatimin e marrëveshjes dhe shtensionimin e situatës.