Diplomatët iranianë dogjën dokumentet në ambasadën në Tiranë herët në mëngjesin e së enjtes, disa orë para se të largoheshin nga vendi pasi Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin për shkak të një sulmi kibernetik, raporton Reuters.
Në një fjalim të mërkurën, kryeministri shqiptar Edi Rama ka thënë se kishte urdhëruar diplomatët dhe stafin iranian ta mbyllnin ambasadën dhe të largoheshin nga vendi brenda 24 orëve.
Rama shtoi se sulmi kibernetik i 15 korrikut “kërcënoi të paralizonte shërbimet publike, të fshinte sistemet digjitale dhe të hakonte të dhënat e qeverisë, të vidhte komunikimet elektronike të qeverisë dhe të shkaktonte kaos dhe pasiguri në vend”.
Një dëshmitar i Reutersit pa një burrë nga brenda ambasadës duke hedhur letra në një vend ku po përgatiteshin të digjeshin.
Uashingtoni, aleati më i ngushtë i Shqipërisë, fajësoi gjithashtu Iranin për sulmin dhe u zotua të "ndërmarr hapa të mëtejshëm për ta mbajtur Iranin përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e një aleati amerikan".
Teherani dënoi ashpër vendimin e Tiranës për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike, duke i quajtur arsyet e Shqipërisë për këtë lëvizje "pretendime të pabaza".
Edhe
Nis boshatisja e zyrave në ambasadën e Iranit pas ultimatumit të Ramës
Shqipëria dhe Irani kanë pasur marrëdhënie të tensionuara që nga viti 2014, kur Shqipëria pranoi rreth 3 mijë anëtarë të grupit opozitar në mërgim, Organizata e Muxhahidëve të Popullit të Iranit, e njohur edhe me emrin farsi Mujahideen-e-Khalq, të cilët u vendosën në një kamp pranë Durrësit.
Pak ditë pas sulmit kibernetik, mediat në Tiranë raportuan se hakerët kishin publikuar të dhënat personale të anëtarëve të kësaj organizate që ruheshin në kompjuterët shtetërorë shqiptarë, si numra personalë, socialë dhe të lindjes, emra e foto.