Pavarësisht se ka qenë pjesë e kontingjentit të diplomatëve, të cilëve u është kontestuar punësimi në Ministrinë e Jashtme, përmes një konkursi të jashtëligjshëm të para 10 vjetëve, shefja e këtij dikasteri, Donika Gërvalla, njërës prej tyre ia kishte zgjatur mandatin edhe për një vit, duke i besuar madje detyra specifike që ndërlidhen me të akuzuarit në Dhomat e Specializuara në Hagë. Pas rrumbullakimit të një viti, Geci u shkarkua nga ministrja me arsyen se i mungon dosja e aktemërimit
Diplomates së cilës i ishte kontestuar rekrutimi dhe gradimi në Shërbimin e Jashtëm përmes një konkursi të jashtëligjshëm të vitit 2011, i ishte zgjatur mandati edhe për një vit tjetër. Madje sekretarja e parë në Hagë, Yllka Geci, pavarësisht kontestimit ishte ngarkuar me detyra specifike nga ministrja Gërvalla që ndërlidhen me Dhomat e Specializuara në Hagë. Pas përfundimit të zgjatjes prej një viti, Geci, me vendim të ministres u përjashtua nga Shërbimi i Jashtëm.
Një ditë pas raportimit të KOHËS për shkarkimin, Geci ka dhënë versionin e saj duke vënë në dispozicion edhe dokumentacionin që ndërlidhet me emërimin dhe përjashtimin e saj.
Sipas vendimit të datës 25 mars 2022, Gecit i ishte zgjatur mandati deri më 31 dhjetor të këtij viti. Për angazhimin e saj ekzistonte edhe një marrëveshje mes MPJD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë. Detyrat e saj rreth Dhomave të Specializuara janë të përmbledhur në gjashtë pika.
“Harton dhe menaxhon proceset administrative dhe financiare që kanë të bëjnë me vizitorët dhe anëtarët e familjeve; Harton, në bashkëpunim me stafin tjetër të Ambasadës udhëzues informativ mbi vizitat, rregullat dhe kushtet që duhet të plotësohen për të realizuar vizitat e familjarëve dhe palëve të treta; Monitoron edhe raportin për seancat gjyqësore dhe diskutimet me rëndësi që zhvillohen në ato procese; Menaxhon çështjet operative dhe logjistike të ekipeve të avokatëve, qytetarëve të Kosovës, si dhe vizitorë të ndryshëm duke përfshirë anëtarët e familjeve dhe shtetasve kosovarë në ato raste ku kërkohet përfshirja e Ambasadës; Ndihmon dhe asiston familjarët në realizmin e vizitave në njësinë e paraburgimit dhe harton një kalendar të vizitave, të cilin e ndan me stafin tjetër mbështetës të Ambasadës”, thuhet në vendimin për zgjatje të mandatit.
E, më 6 dhjetor Gërvalla e shfuqizon vendimin për Gecin, për të cilën nuk mban detyrim për sistemim në MPJD. Në arsyetim shkruan se Geci është emëruar në konkursin e jashtëligjshëm të vitit 2011.
“Ndonëse nuk ishte kandidat i pranuar përmes konkursit, znj. Geci me datë 25.1.2013, me Vendimin nr. 021/13 të ministrit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, u emërua anëtar i Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës dhe për më tepër u gradua në gradën diplomatike Sekretare e Parë dhe njëkohësisht ishte caktuar të shërbejë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri”, thuhet në vendimin për shfuqizim.
Lidhur me këtë çështje Ministria e Jashtme e as ajo e Drejtësisë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS.
Por, në raportimin e javës së shkuar në komisionin përkatës parlamentar, ministrja Gërvalla nuk e përmendi shkarkimin e Gecit duke thënë se asaj i ka skaduar mandati. E, deputetja e opozitës, Time Kadrijaj, tha se ministrja u kishte premtuar atyre dhe familjarëve të të akuzuarve në Hagë se nuk do ta largojë Gecin.
E, ish-diplomatja Geci thotë se ministrja është treguar kontradiktore.
“Në pyetjet rreth shkarkimeve të diplomatëve, ministrja deklaron se marrëdhënia jonë e punës paska qenë e paligjshme! Shtrohet pyetja, nëse qenka kështu me çfarë baze ligjore më është vazhduar mandati për një vit dhe, siç e cek edhe ajo vetë para disa muajve, unë ngarkohem me detyra specifike. Logjikisht ose kam qenë e paligjshme, ose e denjë për të mbuluar tema shumë specifike. Të dyja bashkë sikur nuk kanë kuptim. Çfarë e ka shtyrë Donika Gërvallën t’i shkarkojë shumë diplomatë, këtë mund ta dijë vetëm ajo. Sa më përket mua, unë jam shumë krenare për çdo ditë në shërbim të vendit tim”, ka thënë Geci.
Gërvalla deri tash ka përjashtuar nga MPJD-ja mbi 10 zyrtarë, të cilët ishin pranuar nëpërmjet konkursit të njëjtë, të vitit 2011. Ata janë duke vazhduar betejën ligjore në instanca të tjera, pasi Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës e kishte shpallur veten jokompetent për të vendosur rreth rastit, me arsyen se mungojnë aktemërimet. Ankesë në këtë Këshill ka deponuar edhe Geci.