Arbëri

Dilema për nene jokushtetuese në Projektligjin për themelimin e Byrosë së Konfiskimit

Pallati i Drejtësisë

Qeveria e Kosovës e ka miratuar Projektligjin për themelimin e Byrosë shtetërore për verifikim dhe konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme. Përderisa ministrja Albulena Haxhiu ka folur për efektin e këtij projektligji, nga ekspertë të fushës së drejtësisë ka dilema se disa nene të projektligjit janë në kundërshtim me Kushtetutën, dhe si të tilla mund të cenojnë sigurinë juridike të qytetarëve.

Dilema juridike lidhur me kushtetutshmërinë e Projektligjit për Byronë Shtetërore për verifikim dhe konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme janë paraqitur në ditën që i njëjti u miratua në Qeverinë e Kosovës.

Projektligji i përmbledhur në 102 faqe pritet të finalizohet në vitin 2022.

Byroja, sipas Projektligjit, mund të fillojë procedurën kurdo që pranon informata për mospërputhje mes të ardhurave e pasurisë që e ka një zyrtar.

Në nenin 21 të këtij projektligji parashihet mundësia që gjykata të caktojë masë të përkohshme, pa njoftimin e palës që i kërkohet arsyetimi i pasurisë. Në procedura të tjera, kur flitet për masa të përkohshme, gjykata i dëgjon të gjitha palët.

“Kurdo përpara ose pas paraqitjes së propozimit për konfiskim, me propozimin e zyrtarit të Byrosë, Gjykata mund të caktojë masën e përkohshme të sigurimit të pasurisë, pa njoftim dhe dëgjim paraprak të palës në procedurë, po qe se Byroja e bën të besueshëm pretendimin se masa e përkohshme është e bazuar dhe urgjente, dhe se me veprim ndryshe, pasuria mund të tjetërsohet, asgjësohet apo në çfarëdo forme nuk do të jetë në dispozicion të atij personi”, thuhet në këtë nen.

Për konfiskimin e pasurisë ose jo, sipas Projektligjit, vendos një gjyqtar i vetëm, ndërsa barra e provës i bie palës në procedurë.

Për këtë projektligj ende nuk kanë dhënë komentet, Instituti i Kosovës për Drejtësi. Por në lexim të parë, Yll Zekaj, hulumtues në këtë organizatë, shfaq dyshime nëse disa nene mund të jenë antikushtetuese.

“Në lexim të parë të këtij projektligji shihet që i njëjti ka shumë dilema. Janë koncepte të reja, që janë krijuar përmes këtij projektligji dhe shihet që ka edhe probleme kushtetuese në kuadër të këtij projektligji”, ka thënë Zekaj.

Drafti i këtij projektligji për komente ka qenë vetëm 7 ditë, gjë që ka bërë që kjo dhe të tjera organizata të mos japin komente.

“Afati për të cilin na është dërguar projektligji ka qenë shumë i shkurtër për të cilin kemi kërkuar që të shtyhet ky afat. Nuk kemi gjetur mirëkuptim për shkak të urgjencës së Ministrisë së Drejtësisë për ta dërguar në Qeveri dhe të njëjtit kanë kërkuar që komentet të dërgohen në Kuvend”, ka shtuar ai.

Edhe organizata “Demokraci Plus” nuk ka dhënë komente për shkak të kohës së shkurtër për konsultim publik. Caktimin e një afati kaq të shkurtër kjo organizatë e ka quajtur veprim joligjor.

Të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë për këtë projektligj kanë folur kryeministri, Albin Kurti, e ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo ka folur për rëndësinë e krijimit të këtij institucioni.

“Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është njëri nga zotimet tona kryesore. Ministria e Drejtësisë në kuadër të objektivave të saj është e përkushtuar në fushën e luftës kundër krimit dhe korrupsionit, në këtë aspekt është edhe hartimi dhe aprovimi i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme nga vlerësimi përmes koncept-dokumentit ka rezultuar që është me interes shoqëror që sistemit juridik t’i shtohet edhe Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme Nëse kjo byro shtetërore vlerëson që nëse një zyrtar publik ka pasuri që s’mund ta justifikojë, atëherë i kërkon Gjykatës konfiskimin e pasurisë”, ka thënë Haxhiu.

Sipas Projektligjit, procedura e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë do të përfshijë pasurinë e zyrtarëve nga data 17 shkurt 2008, si dhe do të vlejë edhe 10 vjet pasi personi zyrtar të pushojë së ushtruari funksionin e tij.

Organi kompetent për verifikimin e pasurisë është Byroja si institucion i pavarur, por që drejtori i saj zgjidhet nga Kuvendi.