Goditje në fytyrë e pjesë tjera të trupit ka marrë një grua në moshë nga njëra prej infermiereve të qendrës së të moshuarve “Orenda” në Pejë. Ndërkohë që gruaja që vuan nga probleme të rënda shëndetësore po përballej me dhunën dhe poshtërimin, të paktën tre persona, përfshirë autorin e xhirimit, dyshohet se kanë vëzhguar ngjarjen dhe janë “argëtuar” me skenën. Videoja me pamje të rënda është publikuar të mërkurën dhe ka nxitur reagimin e organeve të ndjekjes, drejtuesve të institucioneve dhe qytetarëve. Tri infermieret e kësaj qendre janë ndaluar për 48 orë
Tri infermiereve u është caktuara masa e ndalimit prej 48 orëve pas publikimit të një videoje në të cilën shihet se si njëra prej tyre ushtron dhunë fizike ndaj një të moshuare, banore e qendrës për të moshuarit “Orenda” në Pejë.
Në videon që është shpërndarë gjerësisht nëpër rrjete sociale shihet një infermiere tek e mban për duarsh të moshuarën, e godet në fytyrë dhe tallet me të. Ndërkohë që gruaja në moshë po përballej me dhunën dhe poshtërimin, të paktën tre persona, përfshirë autoren e xhirimit, e kanë vëzhguar ngjarjen dhe janë “argëtuar” me skenën.
Në videon e publikuar të mërkurën, por për ngjarjen e ndodhur katër ditë më herët, dëgjohen edhe fjalët: “U çka po sillka fort”, me të cilat fjalë njëra infermiere po i jepte komplimente koleges që po qëllonte në fytyrë të moshuarën.
“Pak jam t’u ja hi qysh di me sjellë unë”, dëgjohet duke thënë infermierja që qëllonte të moshuarën. Pastaj dëgjohen të qeshura e fjalët: “Raport për media”.
Angazhimin e hetuesve për këtë rast e ka kërkuar dhëndri i të moshuarës, Ezen Vala, i cili ka thënë se viktima vuan nga një sëmundje e rëndë, andaj edhe s’ka mundur të tregojë për dhunën që i është ushtruar, katër ditë para bërjes publike. Për më tepër, ka thënë se familja ka qenë shumë e shqetësuar dhe se me nxitim është nisur ta marrë të moshuarën nga “Orenda”.
“Kemi ardhur menjëherë me e tërheq nga shtëpia. Banorin e tërheqim për shkak të asaj që e kemi parë në video. Ajo është nënë e një dëshmori. Nuk kemi pasur ndonjëherë vërejtje për sjellje të keqe. Ne nuk dimë që diçka ka ndodhur. Fatkeqësia është që zonja vuan nga Alzheimeri. Sot është mirë, por rasti ka ndodhur para 4 ditëve. Ne presim që hetuesia të zbulojë më shumë”, ka thënë Vala.
dhe menaxherët e “Orendas” i ka akuzuar për keqtrajtim të klientëve edhe ish-punonjësja e kësaj qendre Viola Sahatçiu.
“Parregullsi, joprofesionalizëm, pakujdesi dhe kërcënime ndodhën në atë qendër sa isha unë menaxhere, dhe kjo ishte arsyeja pse dhashë dorëheqje pas 3 muajve. Sot doli një përfaqësim i keqmenaxhimit dhe keqtrajtimit hierarkik në atë vend. Ato infermiere janë vetëm një reflektim i vogël”, ka shkruar Sahatçiu në Facebook, pasditen e së mërkurës.
Rasti ka nxitur shumë reagime. Masa ndaj infermiereve kanë kërkuar edhe Ministria e Shëndetësisë dhe Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK). Ministria e Shëndetësisë ka konstatuar se të dyshuarat janë infermiere të licencuara dhe se do t’ia dorëzojë raportin OIK-ut.
“Të arrestuarat dhe të përfshirët në ngjarje janë të profesionit infermiere, të licencuara nga Oda e Infermierëve, Mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë. Pas inspektimit, raporti i Inspektoratit Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë do t’i dërgohet Odës, institucion ky i pavarur, me qëllim të marrjes së masave konform ligjit, statutit, rregullave dhe Kodit Etik në fuqi”, ka shkruar Ministria në njoftimin e saj.
Para njoftimit të MSh-së ka reaguar Oda e Infermierëve, ka paralajmëruar heqjen e licencave për personat që shihen në video.
“Sjellje të tilla nuk u përkasin punonjësve shëndetësorë, andaj OIK i dënon ashpër ato dhe sapo të marrë informacion më të detajuar dhe zyrtar dhe nëse rezulton se personi në fjalë është anëtare e OIK, do të veprohet konform legjislacionit në fuqi”, shkruhet në njoftim.
Rrjeti i Grave të Kosovës në reagimin e tij ka kërkuar jo vetëm tërheqje të licencave të infermiereve, por edhe masa ndaj shtëpisë private të të moshuarve.
“RrGK përmes këtij reagimi kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që t’u hiqet licenca të gjitha infermiereve të përfshira. Gjithashtu RrGK kërkon nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve – Departamenti për Politika Sociale dhe të Familjes, që të largojë licencën e operimit të qendrës “Orenda”, pasi që shihet se, sipas rastit të fundit, në këtë qendër ndodh keqtrajtimi me persona të moshuar”, shkruhet në reagimin e Rrjetit të Grave.
Shtëpia e të moshuarve “Orenda” disa orë pas publikimit të videos ka publikuar një letër me një nënshkrim në të cilën konfirmon suspendimin e katër personave nga puna.
“Pas njoftimit për sjelljet e pahijshme të punëtores A.P. merret vendimi si më lart: A.P suspendohet nga puna për veprën e bërë, ndërsa A.R., R.K. dhe G.N. për faktin se kanë qenë në ndërrim bashkë me A.P, por nuk e kanë lajmëruar rastin tek përgjegjësi”, shkruhet në letrën që mban datën 1 tetor.
Aksionari kryesor i ‘Orendas’, Anton Rasaj, ka thënë se janë përpjekur që sjelljet e stafit të jenë profesionale dhe se i ka lënduar shumë pamja e transmetuar.
“Unë jam investitor, kursimet e fituara jashtë vendit me familje vendosëm t’i investonim në vendlindje. Kemi punësuar personel dhe jemi kujdesur që të krijojmë vende pune për bashkatdhetarët tanë dhe të kujdesemi që të ketë maksimalisht sjellje profesionale nga personeli në qendrën tonë, por ja që situata në fjalë na ka lanë pa fjalë dhe plot mllef! Na janë besuar prindër të familjarëve, për çka ngjarja sot na ka lënduar shumë sa nuk gjejmë fjalë të shprehim këtë indinjatë”, ka thënë Rasaj.
Për këtë rast kanë reaguar edhe udhëheqësit institucionalë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka ngritur dyshime për keqtrajtimin e të moshuarve edhe në institucionet e tjera.
“Abuzimi që pamë sot nuk mund të jetë i vetmi, prandaj qytetarët duhet të bashkëpunojnë me institucionet në rast të dyshimeve për keqtrajtimin e familjarëve në shtëpinë e të moshuarve në Pejë, apo edhe në qendrat e tjera të kujdesit ndaj këtyre kategorive. Hetimet duhet të thellohen”, ka thënë Haxhiu.
Edhe nga Zyra e Presidentes, Vjosa Osmani, është lëshuar një deklaratë ku dënohet sulmi ndaj të moshuarës.
“Dhuna është e papranueshme pavarësisht ndaj kujt drejtohet. T`i bësh cak dhune të moshuarit është krim i dyfishtë. Ata janë pjesa më e ndjeshme e shoqërisë, kontributi i tyre është themeli ynë. Akti i sotëm i dhunës ndaj një të moshuare është tronditës, i papranueshëm dhe i patolerueshëm, ndaj Zyra e Presidentes e dënon fuqishëm. Mekanizmat kompetentë duhet t'i forcojnë dhe mbikëqyrin kriteret e përzgjedhjes, në mënyrë që atyre që u besohet trajtimi i fëmijëve, grave dhe të moshuarve të kalojnë nëpër filtra të ashpra të rekrutimit”, shkruhet në reagimin e Zyrës së Presidentes.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se institucionet janë aktivizuar, pas marrjes së informatës për sulmin e së moshuarës në Qendrën Strehimore në Pejë.
“Të moshuarit janë më të dashurit tanë. Ata kanë kontribuar në shoqëri në aq shumë aspekte për kohën më të gjatë sesa të gjithë ne të tjerët. Do të qëndrojmë pranë tyre si me vendime e përgjegjësi qeveritare, gjithashtu edhe me ndjenjën dhe përkujdesjen qytetare”, tha Kurti.
Reagimeve u janë bashkuar edhe liderët opozitarë. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë të jetë tronditur nga mosreagimi i dëshmitareve të rastit.
“I shokuar e tronditur nga dhuna e ushtruar ndaj një zonje të moshuar. Edhe më shumë nga indiferenca e vëzhgueseve të kësaj dhune. Pafuqia e asaj zonje, thirrjet e saj që s’kish kush t’i dëgjonte aty, duhet të shërbejnë si zë zgjimi për çdo institucion shtetëror sot”, ka thënë Abdixhiku.
Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar se viktima e dhunës është nënë e dëshmorit, Sipas tij, i tërë zinxhiri menaxhues duhet të përballet me drejtësinë lidhur me rastin.
“I tronditur nga rasti në Pejë, ku nëna e dëshmorit Taulant Nura dhunohet fizikisht nga ato që duhet të kujdesen për të. E papranueshme dhuna e shfaqur në video. I tërë zinxhiri menaxhues dhe autorët e këtij krimi të dalin para drejtësisë. Rastet e tilla janë aq sa të dhimbshme po aq të neveritshme dhe nuk kanë vend në Kosovën tonë. Nënat, të moshuarit dhe çdo kategori e ndjeshme e shoqërisë sonë meritojnë trajtim dhe dinjitet”, ka shkruar Haradinaj.
Për të moshuarit në shtëpinë “Orenda”, sipas të afërmve të tyre, është bërë e ditur se bëhen pagesa prej 650 deri në 800 euro.
Ekipi i KOHËS ka qëndruar në Pejë dhe ka raportuar për zhvillimet pas rastit të publikuar. Të paktën tre banorë janë larguar ditën e mërkurë nga familjarët e tyre dhe se ka pasur një të arrestuar nga policia, për të cilin dyshohet se është burri njërës nga infermieret e shtëpisë së pleqve “Orenda”.