Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dhuna në familje e shkurorëzimet, raste dominuese në QPS-në e Prishtinës

Qendra për Punë Sociale në Prishtinë ka trajtuar mbi 219 raste të dhunës në familje, me 350 fëmijë të përfshirë, vetëm gjatë vitit 2021, ka bërë të ditur Vebi Mujku nga kjo qendër, në emisionin “SOT” të KTV-së.

Mujku ka thënë se dhuna në familje dhe shkurorëzimet, janë disa prej dukurive që janë duke dominuar si raste të paraqitura në këtë qendër.

“Dhuna në familje dhe shkurorëzimet janë duke dominuar. Kjo është pjesa më e ndjeshme, që na sfidon. Gjatë vitit 2021 kemi pasur mbi 219 raste të dhunës në familje, përfshirë 350 fëmijë, pra ka qenë një fluks jashtëzakonisht i madh i rasteve të dhunës në familje”, ka thënë Mujku.

Ndërkohë duke folur edhe për lindjet e hershme dhe fëmijët e braktisur, Mujku ka thënë se puna e vazhdueshme e institucioneve dhe e qendrës ku ai punon kanë bërë që të ulet numri i fëmijëve të braktisur ndër vite.

“Ne ndër vite kemi parë që kemi suksese. Ndoshta është edhe ngritja e vetëdijes dhe arsimit. Nëse krahasojmë diku para 10-12 vjetëve kemi pasur 60-70 fëmijë të braktisur, viteve të fundit kemi rënë nën shifrën 20. Pra numri i fëmijëve të braktisur është shumë më i vogël. Ky është një sukses i të gjitha institucioneve sepse në të gjithë botën kemi fëmijë të braktisur”, është shprehur ai, duke shtuar se ka kërkesa të mëdha të familjeve për adoptim.