Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dhuna ndaj grave, pika e zezë e shoqërisë

Pikë të zezë të shtetit të Kosovës po e sheh rritjen e rasteve të dhunës ndaj grave, kryetarja e Komisionit Parlamentar të Kosovës për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje. E aktivistet Liridona Sijarina, Diellza Bezera dhe Gresa Hasa, thonë se kjo është pikë e zezë e shoqërisë.

“Ne si shtet, në këtë periudhën e pandemisë, kemi parë veç në rritje numrin e rasteve të dhunës. Nëse s’kemi pas sukses në një fushë, është pikërisht kjo. Jemi në përgatitje të ligjit të ri më radikal, por prapëseprapë rastet janë të përditshme dhe kjo është pika e zezë në shtetin tim”, ka thënë Balje në “Java sonte me Rronin” në KTV.

E aktivistja Sijarina po e sheh dhunën ndaj grave si diçka me të cilën shoqëria tashmë është mësuar.

“Dhuna është këtu kaherë, me themelimin e këtij sistemi patriarkal që u jep prioritet burrave e i dhunon gratë. Ne si shoqëri, jemi rritë me dhunë. S’është fenomen i ri që po raportohet tash, por ka qenë në shoqërinë tonë duke qenë që patriarkati është sistem universal. Dhuna është një problem që varësisht nga rrethanat merr karakteristika e mund të thellohet”, ka thënë ajo.

Sipas saj, rritja e raportimeve të dhunës ndaj grave është bërë për shkak të emancipimit si shoqëri.

Sistemin patriarkal e ka kritikuar edhe Bezera. Sipas saj, rritja e raportimeve të rasteve është ndikuar nga kampanjat e shumta në këtë aspekt.

E nga Tirana, Hasa ka thënë se edhe Shqipëria është rëndë sa i përket luftës ndaj këtij fenomeni.

Edhe Tetë raste të dhunës në familje në 24-orët e fundit Kronikë 1 muaj më parë Tetë raste të dhunës në familje në 24-orët e fundit

“Teksa Qeveria shihet si feministe me numrin e ministreve dhe kryeministrin e shfaq veten si aleat të grave, në Shqipëri vazhdojnë të vriten gratë e kjo shihet si normalitet në shoqërinë tonë”, ka thënë ajo.

Sijarina e ka parë rastin e fundit, atë të dhunimit të një 15-vjeçareje në Pejë, vetëm si shpërfaqje të mendësisë institucionale.

Javën e shkuar u zbulua një dënim që ishte dhënë nga Gjykata në Pejë në rastin e dhunimit të një të miture. Për dhunimin e të miturës, një burrë ishte dënuar me vetëm tetë muaj e tetë ditë burgim edhe pse dënimi parashihet të jetë nga 5 deri në 20 vjet burgim. Në vendimin e marrë, dënimi u arsyetua me “keqardhjen dhe pranimin e fajësisë si dhe në kohën kur ka ndodhur rasti, i pandehuri ka qenë 21-vjeçar dhe tani kanë kaluar 10 vite e se ai ka fëmijë”.