Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës gjatë orëve të mbrëmjes të së premtes kanë nisur një aksion të përbashkët për t’i inspektuar të gjitha kafenetë të cilat nuk e kanë respektuar ligjin anti-COVID. Ky aksion ka rezultuar me shqiptim të dhjetëra gjobave për këto biznese të cilat kapin vlerën prej 200 deri në një mijë euro.
Gazmend Terrnava, inspektor Sanitar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, ka thënë se kanë shqiptuar dhjetëra gjoba për bizneset e Lipjanit të cilat nuk i kanë respektuar masat kundër pandemisë.
“Vlerat e gjobave janë të ndryshme sepse varet se me cilët operatorë kemi të bëjmë, mirëpo gjobat tona fillojnë prej 200 deri në 5 mijë euro. Sot në Lipjan kemi vizituar rreth 20 operator dhe kemi shqiptuar dhjetë gjoba të cilat kapin vlerën prej një mijë euro, pastaj 500 euro dhe 200 euro”, ka thënë Terrnava.
Metush Jashari, toger, njëherësh shef i Hetimeve në Stacionin e Policisë në Lipjan ka thënë për KOHËN se me aktivitete të tilla do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim, andaj apelon te të gjithë qytetarët dhe bizneset që t’i respektojnë masat anti-COVID.
“Festa e Bajramit ka grumbulluar shumë qytetarë nëpër kafene andaj ky ishte edhe qëllimi i aktivitetit të përbashkët me inspektorët e agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës. Andaj në vazhdimësi prej shfaqjes së rasteve të para të pandemisë kemi vazhduar me aktivitetet tona në bashkëpunim me inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, kështu që edhe sot kemi pasur një bashkëpunim të tillë dhe kemi shqiptuar dhjetëra gjoba ndaj qytetarëve për mosrespektim të masave anti-COVID”, ka thënë Jashari.
{gallery}