Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dezinformatat marrin hov në prag të zgjedhjeve

dezinformimi

Dezinformatat dhe përmbajtjet manipuluese në rrjetet sociale kanë shënuar rritje, si çdo herë tjetër para mbajtjes së zgjedhjeve. Synimi, sipas monitoruesve e profesionistëve të mediave është ndikimi i drejtpërdrejtë në opinionin publik dhe orientimin e votuesve. Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos i marrin si plotësisht të vërteta të gjitha përmbajtjet që i lexojnë

Një foto mes dy deputetëve të legjislaturës së fundit, Besnik Tahiri e Duda Balje, është vetëm një nga rastet e shumta ku tentohet të manipulohet audienca përmes shtrembërimit të realitetit.

Sipas njohësve të fushës, raste të tilla shpeshtohen në periudhën para zgjedhjeve, e njëjtë po ndodh edhe tash në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Numri më i madh i rasteve që ne shohim është përmes përmbajtjeve tekstuale, të cilat zakonisht shoqërohen edhe me fotografi. Monitorimi që ne bëjmë zhvillohet kryesisht online dhe përmbajtjet që paraqiten online janë më së shumti tekstuale, por shpesh ato shoqërohen edhe me manipulime përmes fotografive të ndryshme”, ka thënë Etrit Rexhepi nga “Hibrid.info”.

Në foton e manipuluar e që është bërë virale, teksa fotografohen brenda sallës së Kuvendit, dora e Tahirit shihet mbi fundshpinën e Baljes, gjë që ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale. Por nga kamerat në Kuvend, është vërtetuar se dora e Tahirit gjatë atij momenti ishte në shpinën e Baljes.

Sipas monitoruesve, janë identifikuar po ashtu raste ku një parti paraqitet fituese përmes sondazheve të rreme e të paverifikuara.

Po ashtu dezinformata ku një fotografi paraqitet ndryshe nga realiteti, apo deklarata të keqinterpretuara të zyrtarëve shtetërorë, janë vetëm disa nga shembujt përmes të cilëve tentohet të ndikohet tek audienca. 

Kryeredaktori i “Kallxo.com”, Kreshnik Gashi, ka thënë se përmes dezinformimit edhe partitë politike tentojnë të ndikojnë në forma të ndryshme.

“Dezinformimi është një prej mënyrave që e kemi identifikuar si jo të drejtë, me të cilën partitë politike, por edhe influenca të jashtme, ndikojnë në zgjedhjet në Kosovë. Duke përdorur forma të ndryshme, lajme të rreme, inteligjencën artificiale, si dhe mënyra të tjera që lidhen me komentet dhe sponsorizimet e fshehta, përdoren teknika të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatet zgjedhore dhe në vendimmarrjen e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, të gjitha këto teknika ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatet zgjedhore.

Gashi ka theksuar se ka raste kur edhe vetë politikanët janë rënë pre e përmbajtjeve të rreme.

“Absolutisht po, dhe këto janë të faktuara. Politikanët janë fillimisht shpërndarësit dhe prodhuesit fillestarë të shumë dezinformatave, por në të njëjtën kohë ata janë edhe viktima të dezinformimit. Në hulumtimet empirike që kemi zhvilluar, ka rezultuar se ata arrijnë të marrin vendime bazuar në informacione jo të sakta. Këtë e kemi testuar përmes eksperimenteve sociale me kandidatë për deputetë, por edhe me figura vendimmarrëse në vendin tonë”, ka thënë ai.

Gashi ka konstatuar se sipas hulumtimeve, rreth 100 publikime të rreme identifikohen brenda një muaji, të cilat shpërndahen në më shumë se 300 platforma në rrjete sociale.

Monitoruesit u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos i marrin si 100% të vërteta përmbajtjet që i lexojnë.

Ata kanë thënë se lexuesit duhet të kenë dyshime apo sy kritik për çdo përmbajtje, si dhe të bëjnë verifikimin e burimit të informacionit.