Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me procedurat për furnizim dhe menaxhim me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet të kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla, nuk është konstituar në mungesë të deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Në mbledhjen ku parashihej të konstituohej ky komision munguan deputetët e LVV-së, Armend Muja, Driton Hyseni, Shqipe Meta-Isufi, Halil Thaçi, Salih Zyba. Po ashtu mungoi Erxhan Galushi nga subjekti LPRK.
“Sot mungojnë kolegët deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, andaj nuk mund të konstituohet komisioni”, tha deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, kryesues.
“Po vërehet se po frikësohen nga e vërteta”, tha Valentina Bunjaku, zëvendëskryesuese.
“Këtu diçka po fshihet...është e papërgjegjshme që nuk vijnë sot për ta konstituuar komisionin”, ka thënë anëtari nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj.
E anëtarja nga radhët e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili ka thënë se mungesa nuk ka të bëjë me kohën, pasi deputetët që munguan janë veçse në Kuvend.
Në të njëjtën kohë, nga ora 10, është caktuar mbledhja e Komisionit për Buxhet e transfere ku parashihet raportimi i ministrit të Financave - Hekuran Murati. Deputetët e opozitës i kanë kritikuar ata të pushtetit duke thënë se mungesa s'arsyetohet meqë konstituimi i komisionit nuk merr më shumë sesa pesë minuta.
Pesë deputetët e opozitës, që ishin prezentë, i kërkuan administratës së komisionit që t'i ftojë përsëri të gjithë anëtarët e komisionit për mbledhje nga ora 15.