Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deri tash, 80 policëve në veri u është pranuar dorëheqja

Policia e Kosovës ka njoftuar se deri të enjten, 80 zyrtarëve policorë në veri të vendit u është pranuar dorëheqja.

Sipas një komunikate për media të enjten, Policia ka thënë se po vazhdon trajtimin dhe shqyrtimin e të gjitha njoftimeve dhe kërkesave për dorëheqje. Policët në veri dhe zyrtarë të tjerë dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, si protestë ndaj vendimit të Qeverisë kundër targave ilegale të lëshuara nga Serbia.

Njoftimi thekson se deri tash është lëshuar vendimi i dorëheqjes për 80 policë, ndërsa procesi do të vazhdojë me të tjerët.

Më 21 nëntor, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borell, deklaroi se dorëheqja e rreth 600 policëve serbë në veri të vendit dhe mbajtja e stacioneve me vetëm rreth 50 policë shqiptarë, lë vakum të rrezikshëm të sigurisë. Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë i kanë bërë thirrje BE-së që të ushtrojë presion në veri për kthim në punë të atyre që i kanë paraqitur dorëheqjet dhe që kthimi i tyre të mos jetë pjesë e negocimit politik. BE-ja është kritikuar edhe për reagim të butë e të vonshëm lidhur me dorëheqjet në veri.