Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deputetja e VV-së thirrje opozitës: Përballë Serbisë, duhet të jemi bashkë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkan, ka thënë se opozita në Kosovë duhet ta përkrahë kryeministrin Albin Kurti në çështjen e targave, pasi sipas saj, Qeveria vetëm po kërkon ta shtrijë sovranitetin në të gjithë territorin e vendit.

Në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së, Ujkani u shpreh se serbët në Kosovë po ndikohen edhe nga kritikat dhe propagandat që po bëhen edhe nga vetë oponentët në Kosovë, duke u përgjigjur se e ka fjalën për opozitën.

“Ne vazhdimisht u kemi ofruar bashkëpunim serbëve në Kosovës, u kemi ofruar ndihmë dhe gatishmëri për të qenë pranë tyre. Gjithmonë, Policia e shtrin operimin e saj në të gjithë territorin e Kosovës. Por duhet ta kemi të qartë, në të njëjtën kohë, kemi kritika dhe propagandë nga vetë vendi ynë. Krerët e opozitë duhet të jenë me kryeministrin Kurti. Duhet ta mbështesin. Përballë Serbisë, duhet të jemi bashkë”, ka thënë Ujkani.

Por kur u pyet se pse Lëvizja Vetëvendosje sa ishte në opozitë kundërshtonte marrëveshjet e arritura në dialog, ajo u shpreh se nuk kanë përkrahur vetëm ato marrëveshje, që siç i konsideroi Ujkani, kanë qenë të dëmshme për Kosovën. Përmendi themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ujkani theksoi se nuk duhet të ketë shtyrje të tilla të afateve për çështjen e konvertimit të targave ilegale në RKS. Thotë se Serbia nuk është e interesuar për të arritur marrëveshje finale, prandaj sipas saj, fokusi i krerëve institucionalë serbë është që vëmendja të jetë te targat.

“Nuk ka gatishmëri nga Serbia që të ecet drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ka thënë deputetja e VV-së.

Serbia dhe Kosova dështuan të arrinin një marrëveshje pas takimit shumëorësh në Bruksel mes përfaqësuesve të BE-së, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Afati për gjobitjen e serbëve që nuk konvertojnë targat ilegale në RKS u shty sot për 48 orë nga Qeveria e Kosovës, pas kërkesës së SHBA-së. Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen të mërkurën në Bruksel. 

Ujkani ka folur edhe mbi projektkodin civil i cili nuk pati kaluar as në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës. Ajo ka thënë se secili i ka qëndrimet personale mbi çështjen e martesave të gjinisë së njëjtë.

“Është lidhur shumë me kushtin që ka BE për proceset integruese në org të BE-së. Kjo nuk ka ardhur si kërkesë e qartë nga BE-ja sepse e kemi eurodeputetin kroat që thotë se nuk mund të gjykohen kaq shumë deputetët sepse e kanë një bindje që e kundërshtojnë martesat e gjinisë së njëjtë. Nuk e di pse fokusi është te kjo çështje sepse në fund të ditës të gjithë i kemi idetë e qarta dhe do votojmë si na kanë deleguar qytetarët”.

Ndërkohë, për daljet në konferenca të deputetit Haki Abazi, ajo ka thënë se nuk i sheh si jonormale.

“Nuk është diçka destruktive dhe jonormale që një deputet të mbajë konferenca. Ato çështje që i kanë deputetët mes vete, ato iu mbeten atyre të dalin t’i komentojnë”.

Teksa, ka mohuar se mund të ketë largime të tjera nga VV-ja pas deputetes Doarsa Kica-Xhelili.

“Nuk është e vërtetë. Secili deputet që iu ka përmendur emri që gjasat janë të dalin nga VV, kanë dalë dhe kanë thënë se këto pretendime janë të pavërteta. Në asnjë rrethanë nuk jam e gatshme, nuk mund të dal nga VV-ja”.

Artikuj të ngjashëm