Arbëri

Deputetja e LDK-së: Për gati tri vjet të Qeverisë Kurti nuk kemi parë asnjë progres

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka thënë se në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, nuk kanë parë asnjë progres.

Krasniqi të hënën, në një intervistë në emisionin “60 Minuta”, derisa ka folur për raportin e progresit për Kosovë, ka theksuar se është shqetësues fakti që në këtë raport përmendet ende korrupsioni.

“Po pritet, duke u nisur nga qeverisja, që për gati tri vjet nuk kemi parë progres në asnjë fushë, është shqetësuese gjithashtu që në raport si shetqësues mbetet korrupsioni, kur ditët që ky kryeministër e ka pasur si parim, kur në gjithë fushatën që e ka bërë ka thënë që do ta luftojë krimin dhe korrupsionin”, ka deklaruar Krasniqi.

Ajo ka thënë se në këtë raport janë ngritur shqetësime sa i përket Ligjit për zyrtarë publikë, Ligjit për RTK-në e Ligji për prokurimin publikë.

Krasniqi e ka kritikuar Qeverinë edhe për mungesë të transparencës në procesin e dialogut.

Ajo ka thënë se duan të dinë se cila është përmbajtja e draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kritika ka pasur edhe sa i përket fokusimit sipas saj të madh të zyrtarëve qeveritarë në procesin e dialogut.

“Shqetësues mbetet edhe dialogu, pasi ju e dini që kjo Qeveri ka ardhur në pushtet me dialogun si pikë të shtatë, kurse tani i tërë fokusi është në procesin e dialogut, edhe ministrat janë fokusuar në dialog, në të gjitha takimet flitet vetëm për dialog”, është shprehur Krasniqi.

Krasniqi: Ne nuk kemi politikë të jashtme, kemi vetëm deklarata skandaloze të Gërvallës

Ajo ka kritikuar edhe politikën e jashtëm që po e ndjek Kosova duke thënë se është shqetësues fakti që ende janë në fuqi masat e BE-së ndaj Kosovës.

Është shqetësuese si zëvendëskryeministri i parë shkon dhe dakordohet në Bruksel, kur ne ende kemi masa të vendosura ndaj Kosovës. Nëse e kemi marrëveshje është dashur që masat ndaj Kosovës të hiqen, pasi Kosova po humb shumë në aspektin ekonomik. Kjo Qeveri po ka fjalë të tjera, e po vepron diçka tjetër, kanë thënë që nuk do të ulen në dialog pa u vendosur sanksione ndaj Serbisë, e ato janë harruar krejt, por neve na kane mbetur ende masa”, është shprehur Krasniqi.

Sipas saj do të duhej që kryeministri Kurti, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla e presidentja, Vjosa Osmani të lobonin më shumë që Kosovës t’i hiqen masat. “Për mua ne nuk kemi politikë të jashtme, në nuk kemi Ministri të Jashtme, për tri vjet nuk ka barë asgjë ajo ministre, përveç deklaratave skandaloze që nga dita e parë kur e ka marr detyrën”, është shprehur Krasniqi.

Ajo ka thënë se shqetësues është edhe raporti në mes të kryeministrit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë. Sipas tij për këtë raport shqetësime kanë shprehur edhe deputetë të Shqipërisë, me të cilët është takuar.

Krasniqi i përgjigjet Muratit për punësimin e 7786 personave: Nuk qëndrojnë këto shifra

Ajo ka kritikuar edhe ministrin e financave, Hekuran Muarti, për deklaratën e tij se 7786 të rinj janë punësuar nëpërmjet skemës “Superpuna”.

Sipas saj këto shifra nuk qëndrojnë.

“Ka qenë skandaloze deklarata e sotme e ministrit të financave, Hekuran Murati, tha për tetë muaj janë punësuar 7786, e kisha lutur të dalë dhe të na i tregojë emrat, kush janë personat e punësuar, nuk është punësim një kontratë tremujore, ose është duke i marrë emrat që janë duke u punësuar nëpër shtete evropiane”, është shprehur ndër të tjera Krasniqi.