Gjatë raportimit të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli lidhur me ndarjet buxhetore për vitin 2023, për institucionet që janë në fushëveprim të kësaj ministrie, në Komisionin për Ekonomi, deputeti i Vetëvendosjes Armend Muja, ka folur për të arriturat në ndërmarrjen publike “Trepça” në vitin e fundit. Sipas tij këto të arritura kanë ndodhur pas dhjetë vjetëve.
Ndaj këtyre deklaratave të deputetit Muja, ka reaguar kryetari i Komisionit, Ferat Shala, i cili e quajti gënjeshtar dhe manipulues deputetin Muja.
“Po gënjen dhe mos manipuloni për arritjet në Trepçë. Po bëni politikë, sepse ne nuk po flasim sot për performancën e ndërmarrjeve publike”, ka theksuar Shala, ndërsa për këtë nuk pati reagim nga deputeti Muja.
Deputet Shala, ka kritikuar ministren për rritjen e buxhetit për mallra dhe shërbime, e në anën tjetër sipas tij ka shkurtim të buxhetit për shërbimin gjeologjik, departamentin e minierave, për trupat inspektuese, për efiçiencë të energjisë dhe mos rritje të buxhetit për “Trepçën”.
Shala ka theksuar se shuma prej 3 milionë eurove është e pamjaftueshme për “Trepçën”. Ai ka propozuar që për këtë ndërmarrje publike të ndahen 10 milionë euro.
Ministrja Rizvanolli ka arsyetuar rritjen e buxhetit për shërbime dhe mallra, ndërsa për “Trepçën” ka theksuar se është në rrugë të mirë dhe mbështetja qeveritare për të nuk do të mungojë.
Edhe
Përplasje e ashpër për “Trepçën”, Muja - Shalës: “Trepçën” e ke shkatërruar ti
Ajo ka thënë se për herë të parë me planifikimet buxhetore, janë paraparë tri projekte të reja për sektorin e ujërave në vlerë mbi 20 milionë euro.
Sa i përket shumës së mjeteve për projektet e sektorit të ujërave, deputeti nga AAK-ja Pal Lekaj, ka thënë se këto mjete janë të pamjaftueshme.
Rizvanolli ka kërkuar që të bëhet një amendament në Ligjin për buxhetin e vitit 2023 për efiçiencë të energjisë në vlerë 5.26 milionë euro, pasi sipas saj, mjetet buxhetore ekzistojnë nga kontigjenca e Ministrisë së Financave. / ksp
-
Opozita kritikon ministren Rizvanolli për qasjen ndaj “Trepçës”
-
Murati: Minatorët të tregojnë se janë të gatshëm për të mirën e ndërmarrjes
-
Rizvanolli s’shkon në raportim për grevën në “Trepçë”, përplasen pushteti e opozita
-
Muja denoncon disa kompani të ujësjellësit për mosraportim real të ujit të prodhuar