Diskutimi publik “Kuvendi në sytë e të rinjve: Sfidat që duhet të adresohen nga legjislatura e VII-të”, i organizuar nga KDI, u dominua nga pyetjet për marrëveshjen për koalicion mes VV-së dhe LDK-së.
E përgjigja që morën qytetarët ishte se të dy partitë politike kanë vullnet dhe besojnë se një marrëveshje e tillë do të arrihet në mënyrë që të hënën kur do të mbahet seanca do të votohet një qeveri e këtyre dy partive.
Deputeti i Vetëvendosjes Artan Abrashi, është shprehur i bindur se të hënën do të votohet qeveria e re e Kosovës dhe se kryeministër do të jetë kryetari i VV-së, Albin Kurti.
“Them të drejtën unë ende besoj që do të ketë një marrëveshje. Në fillim kemi pas bindje që kjo çështje është pothuajse çështje e kryer, menjëherë pas certifikimit të rezultateve, për fat të keq dolën disa komplikime në rrugë të cilat nuk është që kemi pritur, po flas nga perspektiva e LVV-së. E di që kjo çështje është stërzgjatur shumë, natyrisht edhe qytetarët kanë filluar me e humb durimin me plotë të drejtë. Mirëpo, më mirë le të zgjatet ky proces e le të bëhet mirë, sesa të mbeten shumë çështje të pasqaruara, e pastaj të dalin probleme siç i kemi pasur në të kaluarën”, tha ai.
Ndërsa deputeti i LDK, Besian Mustafa, tha se në LDK ekziston vullneti që të ketë marrëveshje me LVV-në dhe të hënën të votohet një qeveri.
Edhe
Çështja e presidentit futet në orët e fundit pa marrëveshje politike
Ai tha se ekziston mundësia reale që të hënën të ketë një qeveri të përbashkët mes LDK dhe LVV-së.
“A ekziston ende vullneti në LDK që të kemi një marrëveshje bashkëqeverisëse me LVV, përgjigja është po. A do të mund të arrijmë që ato dallimet që kanë qenë të mëdha në fillim, jemi parti të ndryshme në aspektin e plan programeve të cilat kemi arritur ato dallime t’i zvogëlojmë, pra kanë mbetur dallime të vogla në mes të dy partive tona në aspektin politik, në aspektin programor nuk ka mbetur thuajse asnjë. Pra, a ekziston mundësia reale që të hënën të kemi një qeveri të përbashkët, po...Si deputet i LDK-së po them që qoftë në grupin parlamentar të LDK-së, pra nga 28 deputetë, qoftë në organet e LDK-së vazhdon të ketë vullnet për të arritur një marrëveshje bashkëqeverisëse, pra që të votojmë një qeveri të përbashkët të hënën...Unë po shpresoj që të ketë një kryeministër të hënën, natyrisht këto janë institucione pa të cilat nuk mund të vazhdohet tutje. Ato janë detaje të marrëveshjes politike, po pa një marrëveshje politike në mes të dy partive nuk do të kemi qeveri të hënën, pastaj ato detaje teknike të marrëveshjes politike nuk mund t’i diskutoj pa u finalizuar, mirëpo e rëndësishme do të ishte që të kemi një marrëveshje deri të hënën ose të dielën”, tha ai.
Në rast të mos arritjes së marrëveshjes mes LVV dhe LDK, LVV nuk mund të pres në votat e partive politike opozitare.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, tha se si parti nuk kanë qenë pengesë në krijimin e institucioneve të vendit, derisa theksoi se qysh me 6 tetor kanë deklaruar se do të jenë në opozitë.
“Ne jemi pro krijimit të qeverisë, ne jemi distancuar që nga 6 tetori, do të thotë jemi deklaruar ende pa u mbyll rezultatet kryetari ka dal dhe është deklaruar që ne shkojmë në opozitë. Kështu që, nuk kemi qenë pengesë në këtë proces”, tha ajo.
Një koalicion mes LVV dhe LDK nuk do të mund të funksionojë sipas deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Albena Reshitaj, pasi bashkëjetesa mes këtyre dy partive është jo natyrale.
“Kosovës më shumë se kurrë sot i nevojitet një koalicion i besueshëm, praktik, i cili do të fillojë të bëjë ndryshimet në të ardhmen. Unë dyshoj dhe AAK dyshon shumë që një koalicion i tillë do të jetë funksional, do të arrijë, sepse nuk është i natyrshëm, është shumë divergjent në ideologjinë e tyre dhe mendoj që Kosova është e vogël për me e pas kaq shumë ose për me krijua kaq shumë zhgënjime tek popullata ose për me krijua kaq shumë mjegull”, tha ajo.
Edhe
LVV-ja e bindur se i ka votat për qeveri
Sa i përket asaj se a do ta votojnë një qeveri të hënën, Reshitaj tha se do të jenë opozitë.
Ndërsa, deputetja Mirlinda Sopi nga AKR tha ende si parti nuk kanë një vendim se a do ta votojnë apo jo, por që potencoi se është dëshmuar që nuk ka marrëveshje për parime./ksp/