Ka dështuar edhe përpjekja e 28-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Sërish nuk ka pasur kuorum për formim të komisionit për zhvillim të votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. 85 deputetë ishin në sallë - 43 votuan për, asnjë votë kundër e asnjë abstenim. Të hënën mbahet seanca e radhës.

Haxhiu: I kemi numrat për qeverinë, le të na sfidojnë

4 o. më parë / 7 qer 2025 12:42
Albulena Haxhiu

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deklaroi se subjekti i saj tashmë i ka siguruar numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë. 

Ajo thirri partitë tjera që ta sfidojnë Vetëvendosjen në Kuvend, duke theksuar se disa parti që deri tani kanë qenë në opozitë po e pengojnë me qëllim konstituimin e Kuvendit, sepse siç tha ajo, e dinë se Vetëvendosja e ka shumicën për qeverisje.

“Ne kemi thënë që i kemi numrat për qeverinë dhe lë të na matin, le të na sfidojnë. Këta e dinë që ne i kemi votat për qeverinë dhe e mbajnë peng kuvendin e Republikës së Kosovës…Këtë e konfirmon një deklaratë e ish-ministrit të drejtësisë, deputetit aktual, zotrit Tahiri i cili thotë që më e dëmshme është qeveria Kurti se bllokimi i kuvendit. Me këtë deklaratë, ata thonë që po e bllokojnë kuvendin sepse më e dëmshme se bllokimi është qeveria Kurti. Për qytetarët e Kosovës kjo qasje nuk është e mirë”, tha Haxhiu./ kp

Dështon edhe këtë herë konstituimi i Kuvendit

5 o. më parë / 7 qer 2025 11:21
Kuvendi i Kosovës

Photo: Driton Paçarada

Ka dështuar edhe përpjekja i 28-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. 

Sërish nuk ka pasur kuorum për formim të komisionit për zhvillim të votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. 

Që nga hapja e seancës konstituive më 15 prill, kandidatja e Vetëvendosjes për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, ka dështuar të zgjidhet 6 herë radhazi, ndërkaq të enjten dështoi për të 19-n herë formimi i Komisionit për votimin e fshehtë.

Pas mbylljes së seancës për të shtunën, deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se kjo situatë e moskonstituimit është absurde, derisa ka bërë thirrje për VV-në që të zhbllokojë situatën.

E, deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha, ka thënë se partitë e tjera po e bllokojnë votimin e komisionit për votim të fshehtë, ndërsa u bëri thirrje që këtë ta bëjë.

“E kuptoj që duhet të ndërtohen kauza në Kuvend, por nuk mendoj që kauza më e mirë e tyre është lufta ndaj Albulena Haxhiut, ose bllokimi i Kuvendit”, ka thënë ai.

Zemaj: VV-ja të hapë rrugë

5 o. më parë / 7 qer 2025 10:55
Armend Zemaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se nuk ka indikacione se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë marrëveshje politike për konstituimin e institucioneve.

Ai ka thënë se VV-ja duhet të hapë rrugë.

“Nuk kemi indickacion që LVV ka bërë ndonjë marrëveshje për konstituim dhe krijimin e qeverisë së re. Kjo është e tepërt çka po ndodhë. Ata ose duhet të hapin rrugë, ose të krijojnë mundësi dhe mos të vazhdojnë me ngërçet”, ka theksuar Zemaj.  

Lushtaku: Nuk e di se cili kurban duhet të pritet për t’u mbajtur një seancë konstituive

6 o. më parë / 7 qer 2025 10:51
Mergim Lushtaku

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po tregohet kokëfortë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Ai para fillimit të seancës konstituive ka fajësuar LVV-në për mosreflektim.

“Nuk e di cili kurban duhet të prehet për t’u mbajtur një seancë konstituive që të tregojmë unitet, po tregohet që ka kokëfortësi ende nga mazhoranca dhe nuk ka reflektim për ndryshim të veprimeve antikushtetuese dhe antiligjore”, ka thënë Lushtaku.