Arbëri

Deponohen 17 ankesa kundër Ligjit për Paga

nstitucioni Avokatit të Popullit ka pranuar deri të premten 17 ankesa kundër Ligjit të Pagave. Ky institucion ka një muaj kohë për shqyrtimin dhe për marrjen e vendimit nëse Ligjin do ta kontestojë në Kushtetuese

Palët e pakënaqura me Ligjin e Pagave kanë nisur t’i deponojnë ankesat e tyre në Institucionin e Avokatit të Popullit. 17 sosh janë dorëzuar deri të premten përmes së cilave institucione, sindikata e organizata të ndryshme po i kërkojnë Avokatit të Popullit që Ligjin ta kontestojë në Gjykatën Kushtetuese. Ankesat e pranuara nga Ombudspersoni kanë të bëjnë kryesisht me vlerën dhe me nivelin e përcaktuar të koeficienteve. Në këtë institucion nëpërmjet një përgjigjeje për KOHËN thanë se dërgimin ose jo të ligjit në Kushtetuese do ta bëjnë të ditur pas shqyrtimit të ankesave, brenda afatit kohor prej një muaji sa i takon sipas ligjit.

“Deri më tani Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka pranuar 17 ankesa kundër Ligjit për Paga në sektorin publik. Ankesat kryesisht kanë të bëjnë me nivelin e koeficientit. Institucioni i Avokatit të Popullit është duke i trajtuar këto ankesa dhe po ashtu është duke analizuar ligjin në fjalë, dhe pas kësaj, Avokati i Popullit do të dalë me një qëndrim në lidhje me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e Avokatit.

Ankesat janë dorëzuar brenda dy ditëve të fundit, ndërkohë që vlera e kontestuar prej 105 eurosh e koeficientit nga Qeveria është bërë publike të mërkurën. Ajo është përcaktuar brenda Ligjit për Buxhet, i cili është sjellë në Kuvend dhe ka nisur trajtimi i tij në parim në komisionet parlamentare.

Nga Ombudspersoni janë bërë të ditura edhe palët që po e kundërshtojnë vlerën e koeficientit, nivelin e koeficienteve dhe mundësinë e shkeljes së të drejtave të njeriut me Ligjin e Pagave.

“Ankesat kanë ardhur nga sektorë të ndryshëm, si nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, auditorë të brendshëm, zyrtarët komunalë të arsimit të Komunës së Prizrenit, shoqata sindikale e shërbimit sprovues të Kosovës, nga organizata e Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD), infermierët, mjekët që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, laborantë të lartë mjekësorë, Oda e Fizioterapeutëve, Sindikata e Policisë, Komisioni Qendror Zgjedhor, Qendra për pajisje të dokumenteve, Shoqata e Instrumentarëve të Kosovës”, është thënë tutje në përgjigjen e Avokatit të Popullit.

Avokatit të Popullit pritet t’i drejtohet edhe Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës. Ali Gashi, nga kjo sindikatë, ka thënë se këtë janë duke e shqyrtuar dhe se ankesën do ta bëjnë pasi që të marrë opinionet e të gjithë zyrtarëve publikë.

“Për momentin nuk kemi vendim ose qëndrim përfundimtar, por ne jemi përgatitur, unë personalisht e kam përgatitur edhe shkresën dhe në rast se dakordohemi si tërësi atëherë ne do të veprojmë edhe nëse do ta dërgojmë, por edhe nëse vlerësojmë t’i japim një shans duke marrë parasysh se është pritur shumë gjatë për këtë ligj, atëherë do të marrim shumë për bazë qëndrimet e zyrtarëve publikë”, ka thënë Gashi.

Ai ka thënë se vlera monetare e koeficientit që do t’i adresonte pakënaqësitë do të duhej të ishte nga 120 deri në 130 euro, derisa i ka treguar edhe disa nga arsyet që e kanë shtyrë të bëjë gati shkresën për dorëzim të ankesës në Kushtetuese.

“Duke marrë parasysh gjendjen e rënduar ekonomike, inflacionin dhe çmimet të cilat pothuajse rriten brenda ditës dy herë. Fatkeqësisht, edhe pse pritjet tona kanë qenë të paktën mbi 120 euro, Qeveria del me një koeficient prej 105 eurosh që rrjedhimisht ne e konsiderojmë si rritje kozmetike, një vendnumërim i pagave dhe mund të them me përgjegjësi që zyrtarët publikë janë të shokuar nga kjo vlerë”, ka shtuar ai.

Pakënaqësi për ligjin kanë shprehur edhe disa zyrtarë komunalë. Agim Aliu, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, shpreson që deri në miratimin e Ligjit për Buxhet, ku përfshihet vlera e koeficientit, do të bëhen ndryshimet e kërkuara.

“Ka pjesë të administratës komunale ku është zvogëluar paga. Unë po besoj se do të adresohen këto shqetësime në mënyrë që në rastin edhe në mundësinë e parë të rishikohen. Sigurisht se ka edhe raste të tjera jo vetëm në administratën komunale, por edhe në administratat dhe shërbime të tjera që janë pjesë e Ligjit për Pagat, ku janë adresuar defektet e tilla”, ka theksuar ai.

Ligji për Paga do të hyjë në fuqi më 5 shkurt.