Agron Demi nga instituti GAP ka thënë se skena politike në Kosovë po i shfrytëzon kategoritë e ndryshme të popullatës vetëm për interesa personale dhe për sigurimin e votave.
Duke folur për skemën pensionale për mësimdhënësit e viteve të ‘90-a, Demi ka thënë se kjo kategori është vetëm një prej shumë skemave të pamenduara e të dëmshme për buxhetin e shtetit.
“Fatkeqësisht përpos një deputeti, që ishte kundër aprovimit të skemave pensionale, të gjithë të tjerët po luajnë kartën e popullizmit, duke u frikësuar se nëse e kundërshtojnë ligjin do të ndëshkohen me votë. Kjo është e gabueshme. Qeveria dhe Kuvendi fillimisht po e trajtojnë veten, duke krijuar rroga të mëdha për vete dhe më pas edhe pensionin për vete. Pas saj janë grupet e interesit, veteranët e luftës dhe grupet tjera. Pjesa tjetër që mbetet janë të varfër. Asistenca sociale mbetet e njëjtë. 17 për qind jetojnë me më pak se me 1.8 euro në ditë. Kjo përfshin 325 mijë banorë. Me paratë për skemat pensionale të shumta, po të targetoheshin të varfrit, do të dilnin nga varfëria”, ka thënë ai në Express Intervistën në KTV.
Demi ka thënë se fatkeqësi edhe më e madhe është fakti që “Kuvendi dhe Qeveria po luftojnë për t’i rehatuar këta njerëz duke i parë vetëm si votues”.
Ai ka sqaruar më pas ligjin për kategorinë e mësimdhënësve të viteve ’90-a duke thënë se një punëtor i arsimit që ka punuar vetëm një vit në atë periudhë merr pensionin minimal prej 263 euro në muaj, kurse një mësimdhënës që ka punuar gjithë periudhën e pas luftës do të marrë vetëm 200 euro në muaj nga Trusti.
Sipas një raporti të publikuar ditë më parë, në 30 vjetët e ardhshme për këtë kategori pritet të shpenzohen rreth 650 milionë euro.
Edhe
Gjata: Partitë politike kalkulojnë në arsim pasi mund të humbasin edhe vota
Demi ka folur edhe për një takim me sindikalistët ku ka thënë se nga ta ka marrë porosinë që “pasi që krejt marrin pensione, pse të mos marrim edhe ne. Pasi që janë 25 skema pensionale pse të mos shtohet edhe një”.
Demi e ka vlerësuar si të gabuar ligjin edhe për faktin se këta mësimdhënës ishin paguar edhe pse puna e tyre ka qenë me vullnet. Sipas tij, ka pasur njerëz që në periudhën e para luftës kanë dhënë edhe 10 mijë marka vetëm që të paguhen punëtorët e arsimit. Ai ka thënë se punëtorët do të përfitojnë nga kjo skemë, por jo edhe ata që kanë lëshuar shtëpitë për shkolla.
-
AAK-ja e SBASHK-u kërkojnë ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale
-
Demi: VV-ja e urren Hashim Thaçin, por fatkeqësisht po qeveris me “libër” të tij
-
Demi: S’ka pozitë në sektorin publik e privat që meriton pagë më të ultë se deputeti
-
Demi: Veteranët duhet vetë të kërkojnë pastrimin e listave dhe kategorizimin