Arton Demhasaj i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës ka thënë se në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit partia e tij do të ketë rezultatin më të mirë ndonjëherë.
Ai ka thënë se gjasat janë që AAK-ja të ketë rezultat dyshifror, ndërsa i ka quajtur absurde fjalët për rrezikim të kalimit të pragut.
“Të gjithë si ekip jemi përditë të takojmë njerëz në terren, që AAK-ja në zgjedhjet e 28 dhjetorit të ketë rezultatin më të madh historik që ka pasur ndonjëherë. Edhe terreni flet ashtu. Pra, gjasat janë që AAK-ja të ketë rezultat dyshifror në zgjedhjet e 28 dhjetorit...Mendoj se kjo pjesa e pragut është absurde. Me thënë për AAK-në se nuk e kalon pragun, kush e thotë këtë nuk kupton fare procesin zgjedhor. Nëse shikon historikun prej kur është themeluar AAK-ja e tutje asnjëherë s’ka rrezikuar kalimin e pragut”, tha Demhasaj në “Interaktiv” të KTV-së.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit AAK-ja mori pak mbi 7 për qind. Në ato zgjedhje AAK-ja ishte në koalicion me Nismën Socialdemokrate, Konservatorët dhe Intelektualët. Demhasaj vlerëson se koalicionet jo gjithmonë funksionojnë në aspektin e votës.
“Një pjesë të madhe të votuesve tanë u dembeluan e nuk morën pjesë në zgjedhje. Këto koalicione nganjëherë shkaktojnë pakënaqësi të mëdha e votuesit nuk dalin. Rezultati ishte jo i kënaqshëm”, tha Demhasaj.
Demhasaj ka thënë se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është “mbushur mend” dhe se në fushatën për zgjedhjet e 28 dhjetorit do të jetë më i kujdesshëm.
“Po besoj se thjeshtë ai njeri është mbushur mend, në fushatë do të jetë më i kujdesshëm. Sepse e di që pas zgjedhjeve do t’i duhen partner. Qoftë atij apo partive tjera, pasi gara është e hapur”, tha Demhasaj.