Dëme të konsiderueshme kanë pësuar edhe banorët e fshatrave të Rahovecit e Prizrenit, pas reshjeve të rrëmbyeshme të një nate më parë. Që nga mesnata, ata janë duke u marrë me evitimin e pasojave, tek kërkojnë ndihmën e shtetit.
Mëngjesi i së shtunës i gjeti edhe banorët e fshatrave të Rahovecit, duke u marrë me pasojat e rrebeshit të shiut.
Përmbytjet në këtë komunë, të shkaktuara kryesisht nga dalja e lumit jashtë shtratit, kanë shkaktuar dëme të mëdha, thonë qytetarët.
Të indinjuar, ata kanë kërkuar zgjidhje nga institucionet komunale.
“Dëmet janë të papërshkrueshme. Sa herë që bie shi, ne vazhdimisht kemi probleme me ujërat. Në bodrum dhe makinat e barit, fleksa, nuk patëm as edhe një minutë kohë sepse erdhi lumi dhe shkatërroi çdo send. Kemi pasur disa pula. Sa munda disa i shpëtova, 20-30 sosh i barti uji, ku edhe mua ishte duke më bartur uji. Edhe traktori është mbushur me ujë”, ka thënë Adnan Kadiri.
“Këtë herë ka qenë rrëmbimi i shpejtë në kohë të shkurtër, por kemi dalë burra, gra e fëmijë duke i përballur e luftuar ato vërshime, por shyqyr nuk zgjati shumë dhe këtë herë ia kaluam. Duhet marrë masa sidomos brenda fshatit për të bërë një zgjidhje më të mirë që të zgjerohet shtrati i lumit. Është mirë brenda fshatit dhe poshtë në përgjithësi ka qenë me të vërtetë një kiamet që për një kohë të shkurtër pati vërshime shumë të mëdha”, ka shtuar Qerim Kadiri.
“Jemi katastrofë. Më ka hyrë uji në shtëpi, të gjithë gjërat i ka prishur. Gruaja, vajza po pastrojnë të gjitha gjërat prej gjysmës së natës jemi duke pastruar në shtëpi”, ka thënë Fatmir Popaj.
Në Komunën e Rahovecit kanë thënë se janë duke bërë përpjekje për ta rregulluar shtratin e lumit.
Sipas kryetarit Smajl Latifi, vërshimet kanë shkaktuar dëme edhe në qendrën e mjekësisë familjare.
“Ne nga pasmesnata jemi në terren gjatë gjithë kohës. Njerëzit janë të dëshpëruar dhe kanë vërejtjet e veta me të drejtë. Prurjet e shiut janë të mëdha dhe është problem për ta përballuar. Kemi kërkuar ndihmë emergjente nga Qeveria për t`i kompensuar dëmet, të cilat janë evidente edhe në amvisëri, infrastrukturë publike por edhe në bujqësi”, ka thënë Latifi.
Ai ka kërkuar që Qeveria t’i kompensojë dëmet.
Reshjet e shumta të shiut kanë krijuar telashe edhe për banorët e fshatit Randobravë të Prizrenit. Ata janë mobilizuar për t’i pastruar rrugët, por edhe për t’i mbrojtur pronat e tyre nga vërshimet eventuale.
Rrahman Berisha pohon se të premten mbrëma ka pasur reshje të shumta dhe se ato kanë krijuar telashe, pasi uji ka depërtuar në një pjesë të shtëpisë së tij. Sipas tij, për çdo herë kanë probleme të kësaj natyre në këtë anë të Përdrinisë.
“Kur po vjen shumë, këta gypa janë të vogël, janë ngushtuar dhe po hyn tani, s'po ka kah të kalojë. Kanë qenë më herët për me e ndreq, por nuk e di”, ka deklaruar Berisha.
Qytetari Enver Hoxha, të shtunën, është angazhuar për ta mbrojtur pronën e tij nga depërtimi i ujit. Sipas tij, reshjet janë të mirëseardhura për bujqësinë, por se shpejt mund ta dëmtojnë rrushin e pavjelë.
“Çka të vjen prej Zotit mirë se vjen. Kush mund të mbrohet nga pak mirë, kush nuk mundet nuk kemi çka të bëjmë tash, me Zotin s'mund të shtyhemi”, ka thënë Hoxha.
Treva e Përdrinisë së Prizrenit kufizohet me Komunën e Rahovecit.