Çështja e demarkacionit është konsideruar “e lehtë” nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ai i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. Në një konferencë për media të mërkurën në Prishtinë, të dy presidentët e konsideruan demarkacionin si çështje që s’mund të prishë raportet mes dy shteteve.
Sipas Osmanit, nuk ka asnjë çështje që mund të prishë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Malit të zi. Madje, ajo shtoi se sheh vetëm hapësirë për përmirësim dhe thellim të raporteve mes tyre.
“Dua ta potencoj sërish që Mali i Zi si ndër shtetet e para që e ka njohur Kosovën. Që nga viti 2008 e deri sot, ka qenë ndër fqinjët më përkrahës në procesin tonë të shtetndërtimit. Kjo miqësi që është ndërtuar vazhdimisht, do të ruhet e forcohet më tej. Për çështjen e demarkacionit, Kosova ka ratifikuar tri dokumente, e para është marrëveshja dypalëshe sa i përket vendosjes së kufirit, e dyta është deklarata e përbashkët ndërmjet dy presidentëve të atëhershëm të Kosovës dhe Malit të Zi, dhe e treta ka qenë raporti i komisionit shtetëror për çështjen e kufirit. Gjithçka që ka të bëjë me raportet tona do të diskutohet dhe zhvillohet në parimin e respektit të ndërsjellë, në parimin e raporteve të shkëlqyeshme miqësore. Çështja e trupit të përbashkët teknik që është paraparë në deklaratën mes dy presidentëve, është një çështje e tillë teknike e cila do të realizohet gjithnjë përmes diskutimeve miqësore e përmbajtjesore ndërmjet dy vendeve tona, gjithnjë duke vlerësuar raportet tona të ndërsjella duke pasur miqësinë dhe thellimin e këtyre raporteve. Ka mjaftueshëm akterë të tjerë që synojnë t’i dëmtojnë raportet tona. Kosova dhe Mali i Zi nuk duhet ta lejojnë këtë. Nuk shoh asnjë çështje që mund të prishë marrëdhëniet e Kosovës dhe Malit të Zi, përkundrazi shoh hapësirë për përmirësim”, ka thënë Osmani.
Ndërkohë, Gjukanoviq u shpreh se çështja e demarkacionit llogaritet si problematike vetëm për ata që duan të krijojnë probleme.
“Duke u pajtuar me këtë që tha presidentja Osmani, dua të përgjigjem shumë drejtpërdrejt. Kemi folur për të gjitha pyetjet, që nuk janë probleme, janë thjesht çështje që kërkojnë zgjidhje, tek të cilat jemi fokusuar. Para së gjithash, të dyja vendet kemi politikën serioze shtetërore. Jemi të vetëdijshëm që miqësia ndërshtetërore në rajonin tonë, shpeshherë nuk nënkuptohet, pasi arrihet me vështirësi dhe kur arrihet një herë, duhet të ruhet me shumë kujdes. Kjo çështje llogaritet si problematike vetëm për ata që duan të krijojnë probleme. Ne nuk duam probleme. Ne do t’i përmbahemi dokumenteve që janë nënshkruar”, ka deklaruar Gjukanoviq.
Edhe
Vuçiq vazhdon ta vuajë që Mali i Zi e ka pranuar pavarësinë e Kosovës
Demarkacioni mes Kosovës dhe Malit të Zi ka qenë temë e shumëdiskutueshme në Kosovë për disa vite, pasi u konsiderua kusht për liberalizimin e vizave.
Marrëveshja fillimisht ishte nënshkruar në vitin 2015, ndërsa nga opozita e asaj kohe u kundërshtua në Kuvend e edhe në sheshe me protesta të shumta. Më 2018 u ratifikua, bashkë me një aneks-marrëveshje ndërmjet dy presidentëve të shteteve. Marrëveshja shtesë përfshinte zotimin se të dyja vendet pas ratifikimit do ta rishikojnë vijën kufitare dhe do të bëhen korrigjime nëse ka pasur lëshime.
-
Kosova e Mali i Zi nënshkruajnë marrëveshje për njohjen e shërbimeve të besuara e identifikimit elektronik
-
Osmani : Emri im s’do shndërrohet në arsye për bllokadë
-
Deklarata e Vuçiqit nxit përplasje mes Malit të Zi dhe Serbisë
-
Ish-ministri malazias: Me njohjen e Kosovës e dëshmuam se ishim të pavarur nga Serbia