LAJMET E MBRËMJES

Osmani e Gjukanoviqi zotohen që kontestet për kufi t’i zgjidhin në frymë miqësore

Në ditën e parë të vizitës së tij në Kosovë, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka shprehur gatishmërinë për t’u pajtuar me korrigjime të nevojshme në procesin e demarkacionit mes të dyja shteteve. Çështja më problematike mes të dyja shteteve, sipas presidentes Vjosa Osmani, do të zgjidhet nëpërmjet diskutimeve miqësore. Presidenti malazias ka premtuar mbështetje për Kosovën edhe në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe në NATO

Përfaqësuesit më të lartë shtetërorë të Kosovës dhe të Malit të Zi janë zotuar të mërkurën se nëpërmjet diskutimeve miqësore do t’i japin zgjidhje çështjes më problematike mes të dyja vendeve, asaj të demarkimit të kufirit.

Katër vjet pas marrëveshjes që në Kosovë ishte kontestuar nën pretendimin se shteti po humbte territor, ende nuk është shënjuar kufiri me fqinjin perëndimor. E, presidentja Vjosa Osmani dhe homologu i saj, Milo Gjukanoviq, gjatë procesit të shënjimit do të marrin në konsideratë edhe deklaratën e nënshkruar mes presidentësh, nëpërmjet së cilës, ndryshe nga marrëveshja, lihej hapësirë për korrigjim.

“Gjithçka që ka të bëjë me raportet tona do të diskutohet dhe do të zhvillohet në përputhje me parimin e respektit të ndërsjellë, në përputhje me parimin e raporteve të shkëlqyeshme miqësore dhe edhe çështja e trupit të përbashkët teknik, i cili është paraparë në deklaratën e atëhershme ndërmjet dy presidentëve, është një çështje e tillë teknike, e cila do të realizohet gjithnjë nëpërmjet diskutimeve miqësore dhe përmbajtjesore ndërmjet dy vendeve tona”, ka thënë Osmani.

Ajo ka theksuar se Kosova dhe Mali i Zi nuk duhet të lejojnë që të dëmtohen raportet mes dy vendeve. “Ka mjaftueshëm akterë të tjerë të cilët kërkojnë ta destabilizojnë rajonin tonë, apo të prishin marrëdhëniet tona. Kosova dhe Mali i Zi nuk do të duhej asnjëherë të lejojnë që raportet të dëmtohen, sepse vetëm sa do t’i shkonte në interes atyre që kanë interesa malinje për Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar presidentja Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, i cili të mërkurën ka qëndruar për vizitë zyrtare në Kosovë.

Demarkacionin, Gjukanoviq e ka vlerësuar si problematik vetëm për dikë që synon të krijojë probleme.

“Ne nuk dëshirojmë të krijojmë probleme dhe jam më se i sigurt se do t’u përmbahemi dokumenteve që kemi nënshkruar dhe nëpërmjet punës së komisioneve të përbashkët për demarkacion do të krijojmë kushtet e domosdoshme për korrigjime, për të cilat do të pajtohemi dhe që do të kontribuojnë që demarkacioni i kufirit të jetë i logjikshëm, të jetë ashtu siç duhet të jetë dhe të mos shërbejë në asnjë mënyrë si burim i mosmarrëveshjeve dhe i rrezikimit të marrëdhënieve tona”, ka thënë Gjukanoviq.

Ndryshe prej Gjukanoviqit, kryeministri i porsazgjedhur i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, e ka quajtur ditë më parë si të mbyllur çështjen e demarkimit të kufirit me Kosovën.

Vizitën e Gjukanoviqit në Prishtinë, presidentja Osmani e ka shfrytëzuar për ta kërkuar mbështetjen e Malit të Zi për kërkesën e zyrtarizuar të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, si dhe për atë të synuar në NATO.

“Mali i Zi është një shembull i shkëlqyer sesi anëtarësimi në NATO i ka shërbyer vetëm forcimit të sigurisë në tërë rajonin tonë, prandaj edhe anëtarësimi i Kosovës do të duhej të shihej gjithnjë nga prizmi i njëjtë, pra, i kontributit për më shumë stabilitet dhe siguri në tërë rajonin tonë”, ka thënë Osmani.

Duke e ofruar mbështetjen e vendit të tij, Gjukanoviq e ka theksuar nevojën që Kosova ta vazhdojë procesin e dialogut me Serbinë.

“Ne e mbështesim dialogun politik, i cili ekziston mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe besojmë se vetëm dialogu politik mund të çojë deri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të obligueshme në aspektin juridik, që të ofrojë mundësi që Kosova të zhvillohet si një vend demokratik dhe që edhe Kosova e edhe Serbia të ecin drejt ripërtëritjes së besimi dhe zhvillimit të ndërsjellë”, ka thënë Gjukanoviq. “Mendoj që është shumë me rëndësi që të jeni konsistentë në këtë proces politik, sepse kjo nuk është çështje që ka të bëjë vetëm me Kosovën dhe me Serbinë. Kjo është një çështje që e prek stabilitetin e rajonit dhe prandaj, si një fqinj i Kosovës dhe i Serbisë, ne tregojmë interesim të veçantë që ky dialog të vazhdojë dhe që në të ardhmen e afërt të rezultojë me një marrëveshje të qëndrueshme”.

Osmani dhe Gjukanoviq gjatë takimit kanë shprehur qëndrime të njëjta kundruall iniciativës për “Ballkanin e Hapur”, e cila ka bashkuar shtetet e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por që është kundërshtuar nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina.

Presidentja ka vlerësuar se muajt e fundit kanë dëshmuar që një nismë e tillë do ta thellonte ndikimin e Rusisë në rajon.

“Në vend që ta përshpejtonte ecjen e shteteve tona drejt BE-së, ajo do t’i vendoste ato në një dhomë pritjeje dhe rrjedhimisht do ta zgjaste edhe më shumë procesin integrues. Prandaj, ne si Kosovë vazhdojmë që të mbajmë qëndrimin e njëjtë se bashkëpunimin rajonal e shohim si kyç, por atë do ta zhvillojmë në kuadër të iniciativave tashmë ekzistuese, ku Kosova është anëtare, dhe në veçanti ndaj Procesit të Berlinit”, ka thënë Osmani. Gjukanoviq, i cili që nga inicimi i nismës ka shprehur kundërshtimin për të, ka theksuar se “Ballkani i Hapur” është nisur në një “lloj momenti depresioni” që ka kapluar vendet e rajonit.

“Kanë menduar që ishte i pamundur integrimi evropian dhe se ndoshta me shkuarjen e kancelares Merkel, integrimi evropian për Ballkanin Perëndimor është duke u shuar. Por, kjo nuk është e saktë dhe kjo që po ndodh ka krijuar një moment të mirë për integrimin e mëtejshëm për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ai.

Kundërshtimin për nismën, Gjukanoviq në një intervistë të mëhershme për KOHËN e kishte arsyetuar edhe me mosbesimin serioz ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, shkaku i etapave të shpeshta gjatë së cilave Serbia ka shpërfaqur ambicie të pafshehura për aneksimin e Malit të Zi.

Gjatë vizitës në Kosovë, Gjukanoviq është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.

Rama ia ka dhuruar presidentit malazias “Çelësin e qytetit”, në shenjë falënderimi për të gjitha që Mali i Zi ka bërë përgjatë historisë së Kosovës. E Gjukanoviq e ka vlerësuar veprimin si një dhuratë të bukur për miqësinë midis dy vendeve.

Gjukanoviq gjatë së mërkurës është pritur edhe nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Gjatë takimit, Bislimi dhe Gjukanoviq kanë biseduar lidhur me bashkëpunimin midis dy qeverive dhe për avancimin drejt nënshkrimit të marrëveshjeve ekonomike.