Arbëri

Delawie: Të bëhemi gati për tregun evropian

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie ka deklaruar se fermerët kosovarë duhet të përgatiten për të eksportuar shpargun jashtë vendit, pasi kjo është një prej perimeve më të shëndetshme që Kosova mund të ketë përparësi në treg.

Mbështetës të programit, Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, drejtori i misionit të USAID-it, Jim Hope dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi kishin ardhur për mbështetur promovimin e shpargut.

Ata vizituan fermerët që kishin ardhur për të shitur shpargun, si dhe bashkëbiseduan me ta për të parë se çfarë kanë ardhë të promovojnë më specifikisht.

Ministri Krasniqi tregoi se janë bërë rreth 5 vjet prej kur ka filluar kultivimi i shpargut në Kosovë. Sipas tij, është parë një rritje stabile nga viti në vit, gjë që jo vetëm se ka krijuar një treg të sigurt për përfituesit por edhe ka rritur të ardhurat e tyre dukshëm.

“Kjo kulturë në fillimet e saj ka filluar të kultivohet nëpërmjet një projekti jashtëzakonisht të mirë që e ka implementuar USAID-i në Kosovë dhe pastaj është vazhduar në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe me projektin aktual AGRO, në mënyrë që të arrijmë nivelet e kultivimit të cilat i kemi arrit sot dhe që padyshim ka hapësirë që të zgjerohet tutje, me një numër më të madh të ndërmarrëve të bujqësisë për t’u marrë me kultivimin e shpargut me qenë se është një nga kulturat që sjellë përfitime të mëdha. Nga bisedimet që kishim me kultivuesit, ne e shohim që shumë prej tyre arrijnë të marrin nga 4 mijë kilogramë rendiment për një hektarë dhe shumë prej tyre arrijnë të shesin në një mesatare të kilogramit në sezon rreth 3 euro dhe me të vërtet janë të hyra mjaft të mira, krahasuar me disa kultura tjera tradicionale me të cilat merren fermerët tonë”, tha ai.

Ai u shpreh se ndjehet i kënaqur nga partneriteti efikas që kanë pas me USAID-it, duke thënë se po shihen edhe frutet e këtij bashkëpunimi e që një ndër to është edhe shpargu.

Ndërkaq, Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, vetëm në tregun vendor presin që të shesin më shumë se 25 tonë të shpargut, ndërkaq, fitimi i kultivuesve do të jetë rreth 80 mijë euro.

“Mjedra edhe shpargu kanë ngjyra të ndryshme por që të dyja janë shembull i përparimit të sektorit të bujqësisë në Kosovë. Atë që po shohim sot janë kulmimi i viteve të punës së mundimshme për prezantimin dhe kultivimin e shpargullit në Kosovë. Vetëm pak vite më parë shpargut u mboll për herë të parë në Kosovë dhe gjatë sezonit të parë kultivuesit vendor shitën më shumë se 2 tonë shpargull. Prej atëherë rritja ka qenë me të vërtet e stërmadhe dhe këtë vit presim që të kemi shitje të më shumë se 25 tonëve, vetëm në tregun vendor, ndërkaq, fitimi i kultivuesve do të jetë rreth 80 mijë euro dhe kjo me të vërtetë është e jashtëzakonshme. Fitimi prej mbjelljes së shpargullit është dhjetë herë më i madh se fitimi i mbjellë prej një are me grurë apo misër. Përveç kësaj shpargulli është shumë i rëndësishëm sepse ua mundëson të kenë para të thata në dorë në fillim të sezones dhe asnjë prodh im tjetër në Kosovë nuk mund të sjellë një fitim të tillë”, tha ai.

Delawie tha se kultivimi i shpargut në Kosovë përbënë një përparësi shumë të madhe për fermerët nga Kosova, pasi e mira e kësaj është në mundësinë për ta mbjellë dy javë më heret se në vendet e tjera të Evropës. Kjo siç tha ai i hap dyert që Kosova shumë shpejtë të fillojë me eksportin e kësaj kulture.

“Ky është vetëm fillimi, hapi tjetër i rëndësishëm është që të bëhemi gati për tregun evropian. Fakti që kultivuesit kosovarë mund ta vjelin këtë të mbjellë dy javë më heret se sa kultivuesit e tjerë në Evropën Veriore, atëherë kjo iu jep atyre një përparësi të madhe në tregun ndërkombëtar”, tha ambasadori.

Ai ndër të tjera tha se suksesi i sotëm është ndërtuar mbi suksesin e mëhershëm dhe se vitin e ardhëm presin që të kenë 50 hektar më shumë të mbjella me këtë kulturë, mënyrë kjo që do të sjellë të ardhura për 50-të familje.

Fermerët vendor ishin treguar mjaft të zellshëm duke sjellur me vete edhe produkte të ndryshme ushqimore të cilat i kishin përgatitur me asparagus.

Armendi, një fermer i cili kishte ardhë për të promovuar shpargut, tha se ky produkt po zgjerohet çdo vit e më shumë me rritje prej 30 përqind. Ai tregoi se sezona e shpargut është fillimi i qershorit.

“Asparagusi është prej perimeve më të shëndetshme. Ai përmban shumë vitamin K, pastron gjakun nga sheqernat dhe yndyrat, mbron zemrën dhe është një pastrues shumë i mirë i organizmit”, u shpreh ai.

Ai gjithashtu tregoi se ka kërkesa edhe për eksportin e shpargullit jashtë Kosovës por që njëherë me këtë sasi që vjelet në Kosovë nuk mund të mbulohen ato.

Ndryshe, Programi i Zhvillimit Bujqësor dhe Mundësitë Rurale është një program pesë vjeçar i financuar nga USAID për të zhvilluar një sektor më konkurrues bujqësor në Kosovë, përmes ndihmës teknike dhe granteve për fermerët, ndërmarrjet dhe organizatat e tjera në zinxhirët e vlerave të synuara.