Lifestyle

Prodhimi i shpargut në Kosovë

10 vjet më parë, Alkend Tahirsylaj nga fshati Lluga në Istog u regjistrua në Fakultetin e Bujqësisë, duke mos e menduar asnjëherë se do të merrej me mbjelljen e shpargut, por para tetë vjetësh, ky 29-vjeçar e filloi mbjelljen e kësaj bime në një pjesë të vogël të tokës afër shtëpisë së tij.

E tani hapësirën e ka zgjeruar, ku ka afër 2.5 hektarë të mbjellë me shparg.

Në kohën kur kishte nisur studimet, Alkendi nuk kishte dëgjuar më parë për këtë bimë.

Ai thotë se 2 vjet më pas, nisi mbjelljen e saj duke mos e imagjinuar kurrë se sa e kërkuar do të ishte më vonë.

Edhe pse ka pak kohë që ka nisur prodhimi i saj shpargut në Kosovë, Alkendi tregon se qytetarët kanë nisur ta kërkojnë këtë produkt ushqimor mjaft të shëndetshëm.

Alkendi është i vetmi në Istog i cili ka mbjellë këtë bimë, e në tërë vendin janë 8 kultivues të cilët me ndihmën e USAID-it kanë bërë që të zhvillohet një kulturë e re bujqësore në vend.

Derisa, ata që duan ta mbjellin një bimë të tillë për konsum, paraprakisht duhet të kryejnë analiza të tokës për mbjellje, e që një farë e kësaj bime është mjaft e kushtueshme.

Pranvera është koha më e përshtatshme në vend për kultivim të shpargut dhe plasimit të tij në treg.

Shpargu është bimë shumëvjeçare, e cila mund të mbillet një herë dhe më pas për shumë vjet të punohet me të.