Arbëri

Delawie është për ratifikim të demarkacionit

Hap përpara e cilëson ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, formimin e komisionit të ri për rishikimin e procesit të demarkimit të kufijve me Malin e Zi.

Qëndrimi i ambasadës sipas Delawie është se rezultati i kufirit nga komisioni është i njëjtë me atë të vitit 1974.

“Drafti i kufirit është identik me atë që e ka ndarë Kosovën me Malin e Zi të paktën qysh prej vitit 1974. Është kufiri që është në Kushtetutën e Kosovës, është kufiri që është në flamurin e Kosovës, është kufiri i duhur. Më duhet të them se do të dëshiroja që një copëz e energjisë që është shpenzuar në këtë çështje t’i ishte përkushtuar zgjidhjes së çështjeve të vërteta në Kosovë, si trajtimi i çështjes së korrupsionit apo të papunësisë”, ka thënë ai.

Delawie inkurajon deputetët dhe zyrtarët qeveritarë që ta ratifikojnë këtë marrëveshje.

“Natyrisht, duam që shtetet të kenë marrëveshje dhe ne nuk do t’iu themi çfarë të bëjnë saktësisht. Kjo nuk është puna jonë. Por, kufiri që komisioni e ka shënuar është kufiri i duhur; është kufiri prej vitit 1974 dhe sigurisht që do t’i inkurajoja deputetët e Kuvendit dhe zyrtarët e qeverisë së Kosovës për ta ratifikuar marrëveshjen ashtu që të merren me çështjet tjera më të rëndësishme për qytetarët”, ka thënë ai.