Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka përshëndetur anëtarësimin zyrtar të Malit të Zi në Aleancën Veri-Atlantike (NATO).
Delawie, nëpërmes një postimi në rrjetin social Twitter, ka shkruar se anëtarësimi i shtetit malazez në NATO është një lajm shumë i mirë edhe për Kosovën.
“Urime Malit të Zi - anëtarit të 29-të të NATO-s. Lajm shumë i mirë për Kosovën që të ketë një tjetër anëtar të NATO-s fqinj në kufirin perëndimor”, ka shkruar Delawie.
Pas Shqipërisë, që u anëtarësua në vitin 2009 në NATO, Mali i Zi bëhet vendi i dytë i Ballkanit Perëndimor, pjesë e kësaj Aleance.
Rusia e ka kundërshtuar ashpër këtë veprim të Malit të Zi, ndërsa raportet diplomatike mes dy vendeve janë në pikën më të ulët të mundshme.