Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar një muaj paraburgim policit Bojan Jevtiq, për veprën penale të spiunazhit.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes, mund t'i shmanget procedurës penale dhe se i njëjti do të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë, duke qenë se ai dyshohet për vepër penale të një rrezikshmërie shumë të lartë.
Gjykata po ashtu vlerësoi se nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë si dhe mund të përsërisë veprën e njëjtë penale ose mund të kryejë sërish vepra tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Prokuroria kërkon paraburgim, mbrojtja e Jevtiqit ofron dorëzani prej 15 mijë eurosh
Togerit Bojan Jevtiq pritet t'i cakohet masa e paraburgimit të premten. Ai u dërgua në Gjykatën Themelore në Prishtinë ku mbahet seanca dëgjimore ndaj tij.
Prokurori Bekim Kodraliu ka thënë se janë siguruar prova të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin se Jevtiq ka kryer veprën me të cilën ngarkohet.
“Janë sekuestruar dokumente konfidenciale të lëshuara nga Policia e Kosovës që kanë të bëjnë me sigurinë dhe rendin juridik të qytetarëve. Kemi gjetur edhe një armë të shkurt pa autorizim, sasi të municionit, monedha që dyshojmë se ai i ka përfituar duke kryer veprat për të cilat dyshohet. Janë 2 milionë dinarë serbë, 10 mijë euro, 600 franga që i pandehuri nuk ka mundur t’i justifikojë”, ka thënë ai para mediave.
Kurse, avokati i Jevtiqit, Milosh Nikolliq, ka thënë se është kërkuar që klienti i tij të mbrohet në liri dhe se është ofruar një garanci në shumë prej 15 mijë eurosh për t’iu shmangur paraburgimit.
“Bojan Jevtiq është pjesëtar i Policisë së Kosovës, është në shërbim që nga viti 2002. Aktualisht ndaj tij po zhvillohet një hetim për veprën penale të spiunazhit. Ajo që është me rëndësi, sot i kemi paraqitur argumentet në favor të tij sa i përket kërkesës për caktimin e paraburgimit. Kjo ka të bëjë me faktin se ai do të jetë i qasshëm për organet deri në përfundim të procedurës se do t’i përgjigjet çdo thirrjeje. Dhe në këtë qëllim kemi ofruar masën e garancisë në shumën prej 15.000 eurosh. Pra, ai do të bashkëpunojë me organet. Vendimi për paraburgimin ende nuk është marrë. Do të merret për dy orë, për çka do t’ju njoftojmë”, tha Nikoliq.
Ai shtoi se mbrojtja konsideron më të përshtatshme një masë më të lehtë sigurie.
“Masa e arrestit shtëpiak me mbikëqyrje nga policia. Mendojmë se është e përshtatshme, sepse është fillimi i procedurës, mund të zgjasë gjatë, nuk ka nevojë për caktim paraburgimi,” u shpreh ai.
Jevtiq është arrestuar një ditë më parë, 17 korrik, dhe është ndaluar për 48 orë. Në Prokurorinë Speciale kanë bërë të ditur se pas aksionit të bastisjes nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Inspektorati Policor në shtëpinë e policit që ka punuar në pikën kufitare Dheu i Bardhë janë gjetur dokumente të klasifikuara.
Jevtiqi e ka mbajtur pozitën e shefit të operativës në policinë kufitare në pikëkalimin kufitar.
Pesë persona të tjerë, përveç Jevtiqit, aktualisht mbahen në paraburgim për spiunazh.