Arbëri

Del nga sistemi njësia A3 e Termocentralit Kosova A

KEK

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia A3 e Termocentralit Kosova A ka dalë nga sistemi në mënyrë të paplanifikuar rreth orës 00:30 të së enjtes.

Sipas njoftimit të KEK-ut, ndërprerja është shkaktuar nga luhatje në sistemin elektrik, që kanë aktivizuar sistemin mbrojtës të gjeneratorit, duke bërë që zgjuesja të ndalet automatikisht.

KEK-u, gjithashtu, ka bërë të ditur se më 17 qershor, në njësinë A5 është identifikuar një humbje e ujit në kaldajë. Pas monitorimit nga ekipet teknike, kjo njësi është mbajtur në funksion deri në orën 00:02 të datës 18 qershor, kur është ndalur me qëllim të parandalimit të ndonjë avarie më të rëndë.

Ndërkohë, njësia A4 e Termocentralit Kosova A është jashtë funksionit për shkak të remontit, i cili ka nisur më 16 maj.

Në deklaratën e saj, KEK-u thekson përkushtimin për adresimin teknik të situatës, duke synuar vendosjen e një standardi të lartë të përgjegjësisë dhe llogaridhënies në të gjitha nivelet operuese.

“Kjo është thelbësore për garantimin e stabilitetit të sistemit prodhues dhe të besueshmërisë ndaj publikut”, thuhet në komunikatë.