Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deda: Kemi 27 nënshkrime për mocion për rrëzimin e qeverisë

23:53 - Ilir Deda, deputet i Alternativës, ka thënë se kanë grumbulluar 27 nënshkrime të deputetëve për të nisur mocionin për rrëzimin e qeverisë.

Sipas tij, deklaratat e partive opozitare se do ta rrëzojnë shpejt qeverinë, janë të rreme. Në Interaktiv të KTV-së, Deda ka thënë se do të bisedojnë e partitë opozitare që të niset sa më shpejtë ky mocion, sidomos pas “vjedhjes industriale me 53 milionëshin për Bechtel & Enkan”.

“Mendoj se qeverinë duhet ta rrëzojmë për shkak të 53 milionë eurove. Më duket për çmenduri çfarë reagime të vobekta ka pasur ndaj një vjedhje industriale në Kosovë. Kurrë në Kosovë s’ka pasur keqpërdorim më direkt të shtetit. Kemi deponuar nënshkrimet për mocion te LDK-ja. Do të bisedojmë edhe me VV-në, PSD-në, edhe LDK-në për të nisur mocionin për rrëzim të qeverisë. Krejt ky diskutim dy muajt e fundit ka qenë i rremë për popullin. Opozitarët po thonë se duam ta rrëzojmë qeverinë, por pa Listën Serbe. Qysh po doni me i bë 61 vota? Do të thotë po rrejnë. Deputetët e Listës Serbe janë deputetë të Kosovës. A bëhemi 61, hajde po bëhemi e po e rrëzojmë. Nëse s’bëhemi pse po e rrejmë popullin se po e rrëzojmë qeverinë. S’ka kurrfarë iniciative konkrete. Ne jemi vetëm dy deputetë dhe mund të kërkojmë prej LDK-së që nënshkrimet e deponuara që i kemi te ta për mocion ta iniciojmë. S’ka pas iniciativë, vetëm i kemi mbledhë nënshkrimet në rast se bëhet mocioni. Nuk po duam të jemi pjesë e 'në rast se', por hajde po provojmë po e rrëzojmë. 24 nënshkrime janë të LDK-së, dy të Alternativës dhe një tjetër është Korab Sejdiu”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.


Deda e lë fajtore opozitën nëse Kosova dështon në dialogun me Serbinë

Ilir Deda, deputet i Alternativës, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi do të vazhdojë me udhëheqjen e palës kosovare në dialogun Kosovë-Serbi, pasi që në skenën politike s’po ofrohen emra konensualë.

Sipas tij, asnjëra parti opozitare nuk e do Thaçin në krye të ekipit të Kosovës, por të gjitha po heshtin kur kërkohet ndonjë emër konsensual që duhet të udhëheqë dialogun.

Nëse Kosova dështon në dialog, sipas Dedës, fajtore është opozita.

“Faji do të jetë i opozitës. Ne po jemi të paaftë që të ofrojmë agjendë për këtë vend, në kohën kur kurrë më të fortë s’kemi qenë sa i përket numrave”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Sipas Dedës, Kosova s’ka shumë kohë për të ofruar emër konsensual që të udhëheqë dialogun në emër të Kosovës.

“Nuk mendoj që medoemos t’ia japim mandatin Thaçit, por nuk kemi shumë kohë që të presim deri shtator apo tetor që të arrijmë konsensus. Neve na është thënë se nëse e kundërshtojmë Thaçin hajde kënd po e qojmë. Por në këtë skenën politike të Kosovës, ka vdekur politikbërja, ne kemi vdekje klinike të politikës. Jemi pa koordinim komplet duke mos e kuptuar se po ikin minutat drejt një finaleje me Serbinë, e që nëse jemi në situatën sikur tash nuk do të jetë e favorshme për ne”, ka thënë Deda.

“Ne jemi kundër Thaçit. Nuk do ta mandatonim, por asnjëra parti opozitare s’po ofron emër. Ne jemi katër parti opozitare që jemi kundër Thaçit. Jemi 64 deputetë që s’e mandatojmë Thaçin. Por kë po e duam? Këtu është problemi i jashtëzakonshëm ku hyjnë disa që nuk mund t’i quaj as politika partiake. Edhe kjo opozitë që dëshiron të vijë në pushtet, s’është e aftë të japë emër konsensual për të udhëhequr dialogun”, ka shtuar ai.

Artikuj të ngjashëm