Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka thënë se Plani evropian është marrëveshje që mundëson paqe dhe hap perspektivën për marrëdhënie të mira fqinjësore një ditë.
Sipas tij ai është i ndërtuar në bazë të parimeve univerzale të së drejtës ndërkombëtare dhe të barazisë ndërmjet shteteve, e modeluar kryekëput sipas marrëveshjes së dy Gjermanive (1972), dhe e përshtatur në kontekstin aktual.
Ai ka vlerësuar se Plani ka për qëllim ndryshimin thelbësor në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Deda ka vlerësuar se është kontratë ndërmjet dy vendeve të barabarta, që siç ka thënë ai e pranojnë integritetin territorial, juridiksionin kushtetues dhe subjektivitetin ndërkombëtar të njëra-tjetrës.
Në një status në Facebook Deda ka vlerësuar se më këtë Plan, Serbisë i njihet e drejta e mosnjohjes de jure të pavarësisë të Kosovës, por jo edhe mohimi i saj. “Dmth ka pranim të ekzistencës të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Deda.
Edhe
BE: Integrimi i Kosovës dhe Serbisë, i kushtëzuar nga angazhimi në normalizimin e marrëdhënieve
Ai ka thënë se në këtë plan ka edhe Asociacion të komunave me shumicë serbe, si dhe vetëqeverisje të avancuar shtesë në nivel komunal.
“Ka ndihmë të institucionalizuar dhe përkujdesje të Serbisë për popullatën serbe në Kosovë. Ka status të formalizuar juridik të Kishës Ortodokse Serbe - a do të jetë ekstraterritorialitet, kjo mbetet të negociohet”, ka shkruar Deda.
Sipas tij ky Plan ndikon edhe në rrugën e të dyja vendeve drejt integrimit evropian.
“Kosovës i jepet mundësia për tejkalimin e vështirësive për anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe status kandidati në BE, dhe anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës dhe institucionet e tjera ndërkombëtare, realisht kryesisht atyre në Evropë. Serbisë, përshpejtim të afrimit strategjik me Perëndimin, duke përfshirë edhe shtim domethënës të investimeve”, ka shkruar Deda.
Megjithëkëtë sipas tij nevojiten edhe shumë negociata për jetësimin e Planit, e aty ka theksuar se duhen aftësi të negociatorëve të Kosovës.
“Ka edhe paqartësi - si psh. disa nga marrëveshjet e Brukselit - ajo për përfaqësim rajonal - a do të vazhdojë të mbetet ne fuqi apo do te bëhet një aranzhim i ri. Por kjo, dhe shumë detaje tjera mbeten në duar, aftësi dhe shkathtësi të negociatorëve të Kosovës në negociatat e një duzinë marrëveshjesh plotësuese që duhen të arrihen për jetësimin e ‘Marrëveshjes Bazë’”, ka shkruar Deda.
Ai ka thënë se Marrëveshja e qetëson edhe rajonin.
“Tash do të përshpejtohen hapat për heqje te barrierave në Ballkanin Perëndimor (integrim rajonal në bazë të katër lirive evropiane, sipas rregullave të BE- së) dhe integrimin gradual sektorial në Tregun e Përbashkët Evropian. A zgjidhen të gjitha problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë? Jo. Por, mbyllen disa, dhe krijohet mundësia për adresimin e çështjeve tjera. Kyçe këtu është që nënshkruesit e marrëveshjes, dhe garantuesit e saj, të kuptojnë dhe interpretojnë njëjtë atë që është dakorduar”, ka shkruar Deda.
Edhe
Parlamenti Evropian kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës, i quan të pajustifikueshme
Sipas tij ka edhe rreziqe, e më i madhi ka thënë të jetë nëse nuk ka unfikim të pozitës të 27 shteteve të BE-së ndaj Kosovës.
“Sikurse në jetë, asgjë nuk është ideale. Por, kjo marrëveshje e paqes është e mirë. E nga paqja fitojmë të gjithë, e në paqe nuk ishte dashtë të ketë humbës”, ka shkruar Deda.