Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti është duke shqyrtuar raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Suzana Dautaj-Surdulli, zëvendëskryetare e Bordit të AKP-së ka thënë se kompensimi për stafin dhe bordin është ulur për rreth 30%.
Ajo ka thënë se 264 personave të angazhuar s'u është vazhduar angazhimi, gjë që sipas saj, ka kursyer rreth 2.6 milionë euro
Nga mbi 2000 asete të AKP-së, mbi 1600 janë kategorizuar me interes për të kaluar te Fondi Sovran në të ardhmen.
“Jemi duke punuar që ta finalizojmë likuidimin e 12 ndërmarrjeve shoqërore”, ka thënë ajo.
Sipas saj, operimi i AKP-së varet shumë edhe prej operimit dhe shpejtësisë së Dhomës së Posaçme (e Gjykatës Supreme për Çështjet e AKP-së).
Ajo ka thënë se 16.000 lëndë janë në këtë gjykatë.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se e kanë thirrur kryetarin e bordit dhe nuk ka ardhur.
“Le të shërbejë si paralajmërim, nuk vi herën tjetër në komision nëse nuk është prezent kryetari i bordit”, ka thënë ai.
Anëtarët e bordit të AKP-së kanë thënë se kryetari mungon për arsye shëndetësore.
Avni Jashari, zëvendësdrejtor në AKP ka thënë se e kanë një kontest gjyqësor në Exim-Kosit Beograd.
Sipas tij AKP-ja nuk ka shitur asete jashtë Kosovës. Ka thënë se në Mal të Zi janë rregullisht duke u marrë u marrë me konteste gjyqësore.
Prona të AKP-së ka pohuar se ka në të gjitha prej gjashtë republikave të ish-Jugosllavisë.
Suzana Dautaj-Surdulli ka thënë se shuma e ankesave janë me vlerë shumë të madhe në raport me shumën e shitjeve të realizuara.
Dautaj-Surdulli ka thënë se gjatë vitit 2021 nuk kanë shitur asnjë tokë bujqësore. Sipas saj, të gjitha janë futur në listë për t’u bartur te fondi sovran.
“Në padinë e SharrCem-It, AKP-ja e ka humbur rastin në gjykatë”, ka thënë Dautaj-Surdilli duke iu referuar arbitrazhit.
Deputeti Armend Muja, ka thënë se AKP-ja thotë se nuk e ka një listë që Trepça i ka jashtë territorit të saj asetet. Ai ka pyetu nëse është problematike një gjë e tillë.
Jashari ka thënë se nuk është pranuar një listë e konfirmuar me asetet që i ka Trepça jashtë Kosovës.
“Ne si AKP ju premtojmë se do ta analizojmë shumë këtë çështje dhe do iu japim një përgjigje”, ka thënë Dautaj-Surdulli.
“Argumenti kryesor i faljes së qirave (të qiramarrësve të AKP-së) nga bordet e kaluara ka qenë pandemia. Kemi kërkuar auditim të veçantë të qirave. Ky auditim e përmban edhe auditimin e këtyre qirave. Brezovica, pas 21 vjetëve është vendosur në administrim. Është meritë e bordit. Janë 120 punëtorë. Të gjitha tatimet i paguhen Kosovës. Nuk kemi ende drejtor menaxhues i cili sigurisht do të zgjedhet nga bordi i Brezovicës”, ka thënë ajo.
Dautaj-Surdulli ka thënë se secili anëtar i bordit të AKP-së në të kaluarën është paguar 2888 euro për çdo muaj dhe 450 për mbledhje të jashtëzakonshme. Sipas saj, tash një anëtar i bordit paguhet 2000 euro pagesë fikse dhe s'ka asnjë pagesë për mbledhje të jashtëzakonshme.
Ajo ka thënë se dallimi në përqindje është rreth 40 për qind, por mund të jetë edhe më shumë nëse ka më shpesh mbledhje të jashtëzakonshme.