Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Daçiq: Nuk do t’u themi serbëve nga Kosova që t’i pranojnë targat “RKS”

Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherit edhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, ka thënë se Qeveria serbe nuk do t’u bëjë thirrje serbëve në Kosovë që t’i pranojnë targat “RKS”.

Daçiq për “Radio Televizionin e Vojvodinës” ka thënë se Serbia nuk do të lejojë asnjë kërcënim apo masakër ndaj popullit të saj.

“Siç e keni dëgjuar presidentin Vuçiq, ne duam një kompromis, nuk duam të bëjmë asnjë lëvizje që do të interpretohej si incident apo provokim. Por, keni dëgjuar edhe nga vetë serbët se ata do të mbrojnë interesat e tyre. Serbia nuk do të lejojë askënd të kërcënojë apo kryejë masakër ndaj popullit të saj”, tha Daçiq.

Daçiq ka folur edhe për thirrjet nga Bashkimi Evropian dhe Perëndimi për t’i vendosur sanksione Rusisë.

“Ne mund të vendosim sanksione, por jo edhe të heqim dorë nga Kosova, sepse kur ata pajtohen me atë që është interes i Serbisë atëherë do të pajtohemi qind për qind. Unë ndjek politikën e shtetit tim, dorën e kemi zgjatur, duhet zgjatet edhe dora nga ana tjetër”, ka thënë Daçiq.

Daçiq ka thënë se ende nuk ka ndërmarrë aktivitete për të tërhequr njohje të Kosovës dhe se Serbia e ka respektuar “shumë Marrëveshjen e Washingtonit”. Por, ai ka shtuar se pasi Kosova ka nisur fushata për njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, edhe Serbia do të nisë fushatën e ç’njohjeve.