Dëshmitari James Peter Covey deklaroi se krimet që pretendoheshin se janë kryer nga UÇK-ja nuk i ka dokumentuar vetë. Megjithatë, ai tha se ka qenë mjaft i përhapur raportimi për ngjarje të tilla kriminale.
Kjo deklaratë e dëshmitarit erdhi pasi iu prezantua një libër i tij, në të cilin, siç lexoi prokurorja Vega Iodice, thuhej se “kur trupat e NATO-s filluan që të arrijnë në fund të qershorit 1999, rreth 100 civilë vriteshin çdo javë- kryesisht serbë. UÇK-ja i quante serbët që ishin të përfshirë në luftë dhe kolaboracionistë që ishin në mes grupeve etnike të tjera; veçanërisht romët dhe turqit, por edhe shqiptarët etnik që konsideroheshin thjesht si bashkëpunëtorë me pushtuesin serb”.
Sipas prokurores, në këtë libër thuhet se ekstremistët e UÇK-së përdornin dhunë dhe terror për të dëbuar serbët jashtë Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Dëshmitari Covey pohoi se pjesa e parë duhet t’i referohet pjesës së dytë, ku kjo situatë ishte vetëm nga ekstremistët e UÇK-së.
Më pas, atij iu prezantua një dokument i Departamentit Amerikan të Shtetit për Malin e Zi dhe Serbinë lidhur me të drejtat e njeriut. Sipas prokurores, ky dokument është i vitit 1998 dhe është përgatitur në janar të 1999-ës.
Ky dokument, sipas saj, thotë se elementë të UÇK-së kanë kryer vrasje, kanë qenë përgjegjës për zhdukje, kanë rrëmbyer dhe mbajtur në ndalim policë serbë si dhe civilë serbë dhe shqiptarë që dyshoheshin që janë bashkëpunëtorë të Serbisë. Sipas dokumentit, në raste të izoluara ata kanë gjykuar pa proces ligjor të duhur. Si dhe, thuhet që ka pasur raporte për raste torturash.
Dëshmitari tha se këtë dokument nuk e ka parë kurrë.
“Këtë dokument nuk e kam parë kurrë. Ato që përshkruhen në këtë paragraf ishin dhe po e vë në thonjëza “diçka që e dinin të gjithë”. Por, nuk kam qenë i përfshirë në procesin e dokumentimit të rasteve konkrete dhe individuale”, tha ai.
Më pas, i njëjti raport sipas prokurores flet edhe për ndalimin që UÇK-ja pretendohet se ua ka bërë 13 anëtarëve të delegacionit të partive shqiptare në Qirez për dy ditë.
Sipas prokurores Iodice, raportohet se këta persona janë torturuar gjatë kohës sa ka qenë të ndaluar.
“Siç e thash, ky lloj raportimi ka qenë i përhapur. Por, po e përsëris, jam i shqetësuar nëse kjo ka ndonjë lidhje me përfundimet që kam shprehur unë në deklaratë”, u shpreh Covey.
“Nuk mendoj që është diçka për të cilën duhet të shqetësoheni. Vetëm jepni përgjigje të vërteta dhe të sakta”, tha prokurorja.
Më kërkesë të prokurores, pasi nuk pati kundërshtime, ky dokument u pranua në prova materiale.
Një pjesë e seancës kaloi në sesion privat për publikun, pasi do të trajtohej informacioni i një dokumenti konfidencial.
