Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Çmontimi i mbi 900 bandave gjatë 5 vjetëve të fundit”, reagime ndaj Osmanit, Presidenca del me sqarim

Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për mediumin “Politico” nga Berlini, ka thënë se gjatë 5 vjetëve të fundit në Kosovë janë çmontuar mbi 900 banda kriminale, dhe është këputur zinxhiri që quhej “Mafia e Ballkanit”. Ajo ka thënë se më në Kosovë nuk ka banda kriminale. 

Osmani ishte pyetur për vizitën që ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, do t’ia bëjë Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe se çfarë do të ishte një gjë që do t’i thoshte. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ai ishte zë i fuqishëm në Kosovë, duke na thënë luftoni krimin e organizuar dhe korrupsionin. E ka këtë partner. Në 5 vjet kemi çmontuar mbi 900 banda kriminale. Kemi këputur zinxhirin që quhej ‘mafia e Ballkanit’. Nuk ka banda kriminale në vendin tonë më”, tha Osmani.

Por, deklarata e Osmanit ka ngjallur reagime. 

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami. Ai e ka quajtur këtë deklaratë “doktorinë serbe të gënjeshtrave”.

“Kur ishin në opozitë, i përhapën stereotipet për Kosovën si me qenë favella e Ballkanit. Një shtet kriminal, me 900 banda, drogë, zhvatje, prostitucion…  Tani që kanë ardhur në pushtet, po mundohen t’i zhdukin stereotipet që vetë i kanë përhapur. Edhe kësaj radhe me të njëjtën doktrinë. Me doktrinën serbe të gënjeshtrave”, ka shkruar Behrami.

Ish-deputeti nga radhët e PDK-së, Hisen Berisha, ka thënë se është një prej deklaratave më shqetësuese që mund të dalë nga goja e një presidenteje.

“Nëse, siç thotë presidentja, Kosova ka pasur 900 banda, dhe secila prej tyre ka vepruar qoftë edhe me numrin minimal prej vetëm 3 personash, atëherë kjo do të thotë se kemi pasur së paku 2,700 kriminelë aktivë. Pyetja më e thjeshtë që lind është: ku janë këta kriminelë?” – ka shkruar Berisha. 

Gazetari shqiptar dhe kolumnisti Mero Baze ka thënë se Osmani duhet të ketë kujdes për imazhin e vendit.

“Presidentja e Kosovës duhet të bëjë kujdes për imazhin e vendit të saj. Kosova nuk ka pasur kurrë 900 banda. As 90. Madje as 9.  E kuptoj nevojën për t'u lavdëruar si qeveri suksesi, por jo duke kriminalizuar Kosovën. Për 5 vjet as 900 aksidente me vetura nuk besoj se ka në Kosovë e jo më 900 banda. Një papërgjegjësi e tillë ekspozon Kosovën si vendin më kriminal në botë. Askush nga Serbia nuk e ka thënë këtë shifër edhe pse ata kanë vërtet bandat më të mëdha në Ballkan”, ka shkruar Baze në Facebook. 

Të dielën mbrëma Presidenca e Kosovës ka dal me një sqarim. Në sqarim është thënë se Osmani u është referuar rasteve të trajtuara nga institucionet e rendit dhe jo numrit të bandave kriminale.

“Në fakt, është menduar për raste e jo për numër bandash. Siç e dini, disa banda serbe të veriut kanë qenë të involvuara në qindra raste të veprave penale”, thuhet në sqarim.

Tutje është thënë se Osmani nuk e ka paraqitur Kosovën si vend të krimit, por përkundrazi si shtet të sundimit të ligjit.

“Në asnjë moment Presidentja nuk e ka paraqitur Kosovën si vend të krimit, por si vend të rendit e ligjit dhe si vend ku respektohen në vazhdimësi vlerat evropiane të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”, thuhet më tej.

Videoja e intervistës, të cilën presidentja e kishte postuar në Facebook, tash është zëvendësuar me një link i cili është postuar në faqen e YouTube të presidentes. Në videon e re është larguar pjesa e “çmontimit të 900 bandave kriminale”.