Çmimi i lartë i literaturës studimore po paraqet problem për studentët. Si pasojë, ata po detyrohen të gjejnë zgjidhje të tjera alternative për sigurimin e librave. Problem po konsiderohet edhe mungesa e përkthimit të mirëfilltë. Pos këtyre, barrë për studentët që nuk jetojnë në Prishtinë janë edhe rruga, banimi e ushqimi
Një prej shumë vështirësive që hasin studentët në Kosovë është edhe çmimi i lartë i literaturës universitare. Në pamundësi për t’i blerë librat origjinalë, studentët detyrohen të gjejnë rrugë alternative për sigurimin e tyre.
Nga organizata studentore “Studim, Kritikë, Veprim”, si zgjidhje e shohin krijimin e një shtëpie botuese brenda universiteteve, ku studentët do ta kishin më të lehtë sigurimin e literaturave që kërkohen për studim.
“Është për të ardhur keq, që përveç çmimit të lartë të jetesës në Prishtinë, studentët po përballen edhe me çmimet e larta të librave, kjo është e papërballueshme. Ne si organizatë studentore një nga prioritetet kryesore është që të kemi shtëpi botuese në universitetet tona në mënyrë që ta shtypim literaturën bazë, si dhe literaturën shtesë. Ne duhet të ndjekim shembullin e universiteteve me arsim të avancuar për botimin e literaturave të ndryshme. Gjithashtu studentët po përballen edhe me mungesën e sigurimit të literaturave, gjë që e bën të domosdoshme të gjejnë alternativa të tjera për sigurimin e kësaj literature”, ka thënë Edi Zenelaj, përfaqësues i SKV-së.
Në fakt, shpenzimet vlerësohen të mëdha për studentët të cilët nuk janë banorë të Prishtinës. Pos literaturës, ata duhet të mbulojnë edhe shpenzimet e rrugës, ushqimit e banimit.
“Në vitin e parë nuk është se librat janë shumë të shtrenjtë, mirëpo po flas unë si person që jeton në Prishtinë, e mos të flasim për personat që udhëtojnë e për personat që janë në konvikte, të cilët zakonisht shpenzimet i kanë shumë më të mëdha, kështu që është një barrë ekstra blerja e librave dhe e katër pesë skriptave për një lëndë”, ka thënë Amina Kaja, studente e mjekësisë.
Përveç shpenzimeve, si problem është evidentuar edhe përkthimi jo i mirë i teksteve studimore, ku si pasojë studentët detyrohen të kërkojnë literaturë në gjuhë të huaja.
“Po e përkthejnë vetë profesorët librin. Më vjen keq ta them, por përkthimi në shumicën e rasteve është i tmerrshëm. Ashtu-kështu po të nevojitet me mësu me libra 1000 faqe që janë të gjitha në anglisht. Është problemi i madh”, ka shtuar studentja Kaja.
Për temën, KOHA është përpjekur të kontaktojë edhe me shtëpitë botuese të librave studimorë, si dhe me libraritë ku ato shiten, por në asnjë rast nuk ka pasur vullnet për të dhënë përgjigje pse kostoja e këtyre librave është e lartë.