Ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan Wesley Clark, ka folur në “Interaktiv” të KOHËS për situatën në Ukrainë.
Ai ka thënë se nuk e di përfundimin e luftës që ka nisur Rusia në Ukrainë.
“Luftëtarët ukrainas po rezistojnë shumë fuqishëm. Ata po marrin furnizimet nga vendet perëndimore. NATO-ja nuk është e përfshirë. Kjo është një luftë e Ukrainës kundër Rusisë. Rusia e ka pushtuar Ukrainën pa qenë e provokuar në mënyrë që ta sundojë atë. Presidenti Zelensky po reziston guximshëm dhe besoj se do të vazhdojë të rezistojë. Pra, nuk e dimë rezultatin e kësaj”, ka thënë ai.
Clark e ka parë të çuditshme që forcat ruse kanë qenë të paafta për të hyrë në Kiev deri tash, pasi thotë se Rusia ka shumë më shumë fuqi.
“Po vrasin civilë, por nuk ia kanë dalë aq mirë kundër ushtrisë së Ukrainës, ndonëse ushtria ukrainase është në numër shumë më të vogël duke luftuar një fuqi superiore. Kështu që nuk duket e qartë se çfarë rezultate do të sjellë. Nëse presidenti Zelensky qëndron fuqishëm duke i rezistuar agresionit rus, nëse ai refuzon traktatet paqësore, makineria ruse mund të lodhet vetvetiu. Por ajo mbetet për t’u parë se çfarë rezistence humanitare do të kemi”, theksoi ai.
Edhe
Intervista e plotë me ish-komandantin e NATO-s, gjeneralin Wesley Clark
Sa i përket kërkesës së Ukrainës ndaj NATO-s, që të vendosë ndalim fluturimi mbi hapësirën ajrore ukrainase, Clark shtoi se para pushtimit rus një gjë e tillë do të mund të ndodhte. Ai tha se do të donte që Ukraina të pranonte mbështetje me mjete ajrore nga NATO.
“Mund të vihej në fuqi nga vende të caktuara nga rajoni, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara nga përtej atlantikut, por kur konflikti fillon, atëherë nuk është e mundshme ta shpallësh zonë të ndaluar fluturimi. Do të doja të shihja që Ukraina të pranonte mbështetje me mjete ajrore nga shtete të caktuara, por më duhet ta lë me kaq sepse NATO-ja vetë nuk mund të intervenojë brenda Ukrainës sepse ajo është e kufizuar tash vetëm me aksione mbrojtjeje”.