Arbëri

Frustruese cilësohet ndërlidhja e protestave në Serbi me situatën në veri

Akuzave se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, ka për qëllim dëbimin e serbëve nga veriu i Kosovës, zyrtarët serbë ia kanë shtuar edhe atë se po e inspirojnë opozitën në Serbi për ta rrëzuar Vuçiqin nga pushteti. Pas protestave masive në Beograd, vartës të Vuçiqit thanë se, ata që sulmojnë vazhdimisht serbët në Kosovë po e inspirojnë edhe opozitën serbe kundër institucioneve të Serbisë. E njohës të rrethanave i quajnë frustruese deklaratat e tilla, që sipas tyre, nuk e mënjanojnë as rrezikun që Vuçiqi të përgatitë sulm tjetër në veri të vendit

Shpërthimi i protestave masive të opozitës kundër pushtetit të Aleksandar Vuçiqit në Serbi ka bërë që vartës të tij, t’i gjejnë përgjegjësit edhe në Kosovë. Shefi i së ashtuquajturës zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka fajësuar mediat e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti për mbështetje të opozitarëve serbë, duke e përsëritur se çdo ditë po sulmohen serbët në Kosovë.

“Tërbimi i opozitës së Gjilasit dhe shembja e Beogradit e bën më të lumtur Kurtin dhe mediat në Prishtinë, të cilat vazhdimisht raportojnë për protesta të dhunshme në mbështetje të sulmit ndaj institucioneve të Republikës së Serbisë dhe policisë. Është e qartë, se pse Kurti e ka përkrahur hapur opozitën e Gjilasit, ndërsa çdo ditë sulmon serbët në KiM!”, ka shkruar Petkoviq të hënën në Platformën “X”.

E në një deklarim për mediat serbe, Petkoviqi ka thënë se “të gjithë e kanë të qartë se Prishtinën dhe Kurtin e shqetësojnë serbët, pavarësisht se ku jetojnë, qoftë në Mitrovicë apo në Banjallukë, njësoj si Gjilasin, i cili dëshiron t'i depërtojë serbët nga Republika Serbe”.

“Ata vetëm luajtën bashkë, por asnjë sulm i përbashkët nuk do t'i ndihmojë ata ta rrëzojnë qeverinë e zgjedhur në mënyrë legjitime në zgjedhje”, ka deklaruar Petkoviq.

Mediat e pavarura serbe kanë raportuar për dhunën e ushtruar nga policia ndaj protestuesve opozitarë në Beograd. Protesta e opozitës “Serbia kundër dhunës” është zhvilluar para ndërtesës së Kuvendit, ku u thyen xhama e pati gaz lotsjellës si tentativë për të hyrë brenda ndërtesës.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka akuzuar protestuesit duke thënë se ata po tentojnë që me dhunë të merren institucionet serbe.

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ai ka treguar se janë arrestuar 35 protestues dhe janë lënduar rëndë dy policë. Ka shtuar se do të ketë edhe arrestime të tjera. Opozita serbe e ka akuzuar Vuçiqin për vjedhje të votave në shumë qytete në zgjedhjet e 17 dhjetorit, përfshirë Beogradin.

Ndërlidhja mes Kosovës dhe protestave në Beograd nga ana e zyrtarëve serbë bëhet krahas narratives tjetër, se qeveria e Kosovës ka në plan dëbimin e serbëve.

Njohës të rrethanave e cilësojnë si frustrim tërheqjen e paraleles mes Kosovës dhe protestës opozitare në Serbi.

“Kurti nuk ka lidhje fare me protestat në Serbi. Kushdo që e tërheq këtë paralele është skajshmërisht i frustruar dhe nuk e njeh mirë situatën në rajon. Revolta e akumuluar e qytetarëve serbë ndaj Vuçiqit, i cili anon nga konservatorizmi e jo liberalizmi, janë rrethana që kanë reflektuar tek ata qytetarë serbë që kanë sens politik. Mendoj se trazirat janë filli i një përplasjeje të madhe të popullatës serbe përmes protestave e formave të tjera të mosdëgjueshmërisë politike ndaj Vuçiqit. Prandaj nuk e shoh Vuçiqin që do të mbetet gjatë në pushtet, pasi ky është vetëm fillimi i një revolte që do të zgjerohet”, ka thënë ligjëruesi i sigurisë, Fatmir Çollaku.

Deklaratat e zyrtarëve serbë vijnë pas paralajmërimeve të kryeministrit Kurti e presidentes Vjosa Osmani se Serbia po planifikon sulm tjetër në Kosovë, pas atij në Banjskë më 24 shtator.

Por, Çollaku vlerëson se sulme sikurse ai Banjskë mund të ketë, por jo luftë edhe të përmasave më të mëdha me Serbinë.

“Ato paralajmërime të presidentes dhe kryeministrit edhe në forume të ndryshme kanë dimension tjetër. Janë më shumë deklarata politike, që çojnë mesazh se Serbia është toleruar mjaft, nuk i janë vendosur sanksione, e Kosovës iu vunë edhe pse është viktimë. Krejt kjo ka një domethënie politike, që përmes shtimit të vëmendjes së NATO-s, ShBA-së, e Mbretërisë së Bashkuar, të mos tolerohet asnjë veprim i Serbisë”, është shprehur Çollaku.

Sipas tij, institucionet e sigurisë tani janë shumë më të përgatitura për ta zmbrapsur çfarëdo sulmi në pjesën veriore.

“Jemi në pozitë më të volitshme se deri tani për faktin se Bashkësia ndërkombëtare e NATO-ja janë të vetëdijshëm për aktivitetet destruktive të Serbisë në vazhdimësi për ta destabilizuar Kosovën, duke shprehur edhe ambicien për aneksim të veriut. Po ashtu janë inkurajuese edhe deklaratat e zyrtarëve perëndimorë se nuk do të lejojnë një vatër tjetër të krizës në Ballkan. Krejt kjo na çon te fakti, se përpjekjet mund të jenë nga ana e Serbisë, por assesi luftë sepse hipotetikisht nëse ndodh një luftë e tillë, epilogu është i paparashikueshëm”, ka theksuar Çollaku.

Alarm për rrezikun nga sulme të tjera nga Serbia, ka dhënë të shtunën kryeministri Albin Kurti. Nëpërmjet një konference për media, ai ka theksuar se ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiqi, po bën plane për këto sulme, bashkë me disa pjesëtarë të organizatës së shpallur terroriste, “Mbrojtja Civile”. Kurti më tej ka thënë se për këtë synim grupet serbe po bëjnë përgatitje në disa lokacione përgjatë kufirit midis Kosovës e Serbisë. Por kjo është mohuar nga zyrtarët e Serbisë.