Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Çifti nga Deçani me mbi 700 koshere bletësh

Që të dy kanë përfunduar studimet master në degën e matematikës, por në pamundësi për të gjetur punë në këtë profesion, ata zgjodhën bletarinë si biznes familjar.

Jehona e Agron Dabiqaj janë çifti nga Preljepi i Deçanit, të cilët i janë përkushtuar plotësisht punës me bletët në parcelat e tyre.

Ani pse në dimër, bletët kanë specifika të veçanta edhe në këtë stinë, por mund t’i hasësh vetëm në koshere për shkak të temperaturës së favorshme, transmeton KTV.

Një insekt specifik si bleta, sipas Agron Dabiqajt, kërkon kujdes të veçantë, nisur nga pastrimi i kosheres e deri tek ushqyeshmëria.

Madje për t’i ushqyer bletët, një proces i shpeshtë është transportimi i koshereve në vende me rendiment më të lartë.

Pas vizitës që çifti nga Deçani ua bëjnë 100 koshereve në parcelën më të afërt, kthehen në dyqanin e tyre, ku i kanë të ekspozuara katër lloje mjalti.

Në po këtë dyqan, Jehona punon në makinerinë adekuate për krijimin e kornizave të koshereve për bletët.

E në një hapësirë tjetër, çifti Dabiqaj u ka bërë vend makinave që mundësojnë përpunimin e pogaçes për bletë.

Në një kat krejt lart shtëpisë së tyre, janë të vendosura afro 1000 korniza kosheresh të punuara nga Jehona e Agroni.

Çifti nga Deçani, çdo ditë e nis me përkushtim ndaj punës së vet. Në saje të dashurisë që i japin kësaj pune, ata listohen në mesin e bletarëve më të mirë karshi bletarëve nga e gjithë bota.

Artikuj të ngjashëm