Milorad Zajiq është deklaruar se ndihet i pafajshëm në akuzat që e ngarkojnë atë për krime lufte. Zajiqi akuzohet se ishte përfshirë në përndjekjen e fqinjëve të tij, duke ofruar shtëpinë e tij si bazë për ushtrinë dhe duke qëlluar në drejtim të shtëpive të shqiptarëve, ku të vdekur kishin mbetur 7 persona, raporton KTV.
I akuzuari për krime lufte, serbi Milorad Zajiq, të mërkurën, ka thënë të jetë i pafajshëm për veprat, të cilat i ngarkohen atij.
Zajiqit në shqyrtimin fillestar të mërkurën në Gjykatën Themelore të Pejës, i është lexuar aktakuza.
Ai akuzohet për pjesëmarrje aktive në përndjekjen e fqinjëve të tij shqiptarë në fshatin Dush të Klinës në qershor të vitit 1998.
Sipas Prokurorisë, Zajiq shtëpinë e tij e kishte shndërruar në një bazë për forcat e ushtrisë dhe policisë, prej nga nisi granatimi dhe koordinimi i sulmit ndaj fshatit Dush.
Si pasojë e sulmeve dhe granatimeve që ndodhën në këtë fshat, mbetën të djegur tre të moshuar dhe katër banorë të tjerë u vranë.
I akuzuari për krime lufte, gjatë gjithë kohës, gjyqtarit i është përgjigjur në gjuhën shqipe, përkundër insistimit të gjyqtarit që t’ia lexojë aktakuzën në gjuhën amtare të tij.
Por, kur i është kërkuar që të deklarohet lidhur me aktakuzën, ai këtë ka vendosur ta bëjë në gjuhën serbe.
“Unë nuk jam fajtor. Nuk e pranoj fajësinë dhe nuk jam përgjegjës për asnjërën prej pikave të aktakuzës”.
E për të gjitha këto pretendime të Prokurorisë, avokati i të akuzuarit ka thënë se do të bëjë ankesë për hedhje të aktakuzës.
“Banorët që kanë jetuar atje pas luftës i kanë akuzuar të gjithë serbët që ata i kanë kryer këto krime të luftës. Klienti im e ka ditur qysh nga 2006-a që kanë ekzistuar këto akuza ndaj tij, megjithatë ai është kthyer në Klinë dhe aty ka jetuar i qetë derisa nuk ka shkuar në polici për të lajmëruar grabitjen në shtëpinë e tij. Mendoj se aktakuza është e pabazuar dhe këtë do ta dëshmojnë gjatë gjykimit”
Pas përfundimit të seancës, Zajiqi nga gjykata është dërguar në arrest shtëpiak.
Ndërsa, seanca e radhës ndaj tij do të mbahet në shtator.