Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë ripërsëritur thirrjen për zbatimin e vendimit së Kushtetueses për çështjen e tokës, përreth Manastirit të Deçanit.
Nëpërmjet një komunikate të përbashkët, shefat e QUINT-it thonë se janë të shqetësuar që institucionet e Kosovës ende nuk e kanë zbatuar plotësisht regjistrimin e tokës, duke shtuar se moszbatimi minon zotimin e Qeverisë për zbatimin e sundimit të ligjit dhe respektin e saj për gjyqësor të pavarur.
“Zbatimi i këtyre vendimeve paraqet përgjegjësi themelore demokratike të domosdoshme për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e ardhshëm euroatlantik. Edhe njëherë, e nxisim Qeverinë e Kosovës të lë anash mospajtimet politike, të përqafojë përgjegjësitë e saj demokratike dhe të zbatojë plotësisht të gjitha vendimet e Gjykatës”, thuhet në komunikatë.
Pesë vite më parë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë.
Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga institucionet e Kosovës, konkretisht komuna e Deçanit, pavarësisht thirrjeve për një gjë të tillë nga komuniteti ndërkombëtar.