Arbëri

Çeku flet për intervistën me prokurorin Blakaj

Ish shefi i UÇK-së, Agim Çeku në një intervistë ekskluzive për Rubikon të KTV-së, ka folur për intervistën që kishte me atëherë prokurorin Elez Blakaj.

Çeku, ndaj të cilit ka aktakuzë për çështjen e fryrjes së listave të veteranëve, ka thënë se i kishte ofruar atij të gjitha skemat organizative të UÇK-së, në mënyrë që t’i ndihmojë atij për ta kuptuar çështjen.

“Në bisedën me të unë e kam ftuar që t’i ndihmoj, t'ia sqaroj pak. I kisha me vete të gjitha skemat organizative të krejt UÇK-së, zonës operative, batalioneve, brigadave. Nuk ka dashur t’i marrë”, ka thënë Çeku, duke shtuar se Blakaj ishte arsyetuar se nuk i duhen.

“E kam parë gjatë intervistës se ai nuk e kupton as funksionimin e ushtrisë, as përbërjen e strukturën e luftës. Nuk mundesh t'i sqarosh çështjet e një ushtrie, sidomos një ushtrie vullnetare, me logjikën civile”, ka shtuar Çeku.

Ai thotë se në cilësinë e dëshmitarit nuk u mor në pyetje nga prokurori Blakaj.

Sipas tij, ata vetëm kanë biseduar, por nuk është marrë në pyetje.

“Asnjëri prej nesh nuk e ka ditur që do të jetë i akuzuar. E ftoj publikisht që të thotë se kush prej nesh i ka thënë që ta lë këtë punë, unë nuk i kam thënë dhe as nuk besoj që i ka thënë dikush tjetër”, potencoi ish-shefi i UÇK-së.

Hetimi i vërtetësisë së statusit të veteranëve të UÇK-së nga prokuroi Blakaj, sipas Çekut, u bë vetëm përmes aplikacioneve, e jo në bazë të emrave e detajeve tjera.

Çeku thotë se nuk mund të pajtohet me asnjë nga deklaratat e ish bashkëpunëtorëve të tij, si Xhavit Haliti, Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi, meqë siç thotë ai, nuk mund ta dinë numrin dhe ata po thonë çka është e pëlqyeshme në opinion publik.

“Ata pa vetëdije e bëjnë këtë punë, thjeshtë i kanë ndjek trendet e opinionit publik që të jenë të pëlqyeshme në opinion publik. Unë jam ushtarak dhe tërë jetën kam mësuar për luftë edhe fatkeqësisht e kam përjetuar, ushtria funksionon me standarde e statistika. Unë nuk mund të pajtohem si qytetar i këtij vendi kurrë se nëse janë 12 mijë në luftë, vetëm 0.6 për qind e këtij populli kanë marrë pjesë në luftën tonë”, shtoi Çeku.