Për afro dy vjet, Qeveria nuk ka arritur që ta zgjedhë kryeshefin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës. Në mungesë të tij, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, e caktoi për zëvendëskryesues Bekim Hoxhën. KOHA pati raportuar se Hoxha hetohet lidhur me një kontratë të dyshimtë për renovimin e katit të një objekti, për shfrytëzimin e të cilin Ministria nuk kishte kontratë. E edhe se atij ministri ia kishte lëshuar kundërligjshëm autorizimin për përdorimin e veturës zyrtare për afat prej një viti
Pasi e privilegjoi, duke i dhënë autorizim të kundërligjshëm për përdorimin e veturës zyrtare për një vit, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, e caktoi Bekim Hoxhën në krye të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës.
Hoxha, i cili bashkë me një zyrtarë të tjetër të Ministrisë së Bujqësisë po hetohet nga Prokuroria Speciale rreth një kontratë të dyshimtë të lidhur në kohën sa ishte ushtrues detyre i sekretarit të Ministrisë, u caktuar në këtë pozitë më 6 qershor.
Hoxha edhe në gjykatë, në cilësinë e dëshmitarit, e mbrojti punën e ish-ministrit Nenad Rikallo, i cili javën e shkuar u dënua për korrupsion me 3 vjet burgim efektiv.
Ky institucion që nga gushti i 2021-s udhëhiqet me ushtrues detyre, pasi konkursi i shpallur më 30 shtator të atij viti u anulua më 20 prill të 2022-s, me justifikimin se dy kandidatëve të Komisionit Shtetëror të Pranimit iu kaloi mandatit dhe se nuk kanë të drejtë të jenë anëtarë. Që atëherë nuk u shpall konkurs i ri derisa pozitën e zëvendësuesit të kryeshefit e ushtroi Flamur Kadriu, deri më 6 qershor.
KOHA e siguroi vendimin për caktimin e Hoxhës në këtë pozitë, por në pyetjet e saj lidhur me çështjen nuk dhanë përgjigje as nga Ministria e Bujqësisë dhe as Hoxha.
Të pyetur nga KOHA nëse janë marrë masa ndaj zyrtarëve që po hetohen për kontratën për renovim të katit të pestë, pa pasur kontratë shfrytëzimi, në këtë Ministri thanë se janë në pritje të hetimeve për çështjen.
“Duke e marrë parasysh faktin se ju i posedoni të gjitha këto dokumente, sa u përket pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se jemi në dijeni se një proces i hetimit është duke u zhvilluar lidhur me këtë rast, mirëpo nuk jemi të njoftuar për fazën në të cilën gjenden këto hetime. Prandaj, mbesim në pritje të rezultateve të hetimeve për rastin në fjalë”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
KOHA pati raportuar se në kohën sa Hoxha ishte zëvendësues i kryeshefit të Agjencisë së Pyjeve, ministri Peci i lëshoi kundërligjshëm një autorizim shfrytëzimi të veturës zyrtare për një vit, ani se në vendim të Qeverisë parasheh që autorizimet të mos lëshohen për më shumë se 72 orë.
Peci e arsyetoi veprimin me pretendimin se vetura u dha në shfrytëzim për mbrojtjen dhe për parandalimin e prerjeve të pyjeve. E Hoxha veturën zyrtare e përdor çdo ditë për vajtje-ardhje në punë nga Rahoveci. Pas raportimit të KOHËS, ministri e ndryshoi vendimin, duke i lëshuar autorizime çdo 72 orë.