Në Zubin-Potok është caktuar lokacioni për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit aktual të kësaj komune, Izmir Zeqiri.
Zeqiri në një përgjigje për KOHËN ka thënë se leja i është dhënë grupit iniciues për një sallë të sportit në këtë komunë.
“Është caktuar një sallë e sportit në Zubin-Potok dhe është lejuar zhvillimi i kësaj veprimtarie. Tash e tutje mund të vazhdojnë me procesin”, ka thënë ai.
Procesi i nënshkrimit të peticionit ka nisur deri tash në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq.
Në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq e Zubin-Potok, iniciuesit e peticionit kanë kohë deri më 22 janar të mbledhin nënshkrimet e nevojshme, e në Zveçan edhe pesë ditë më shumë.
Udhëzimi Administrativ për shkarkimin e kryetarëve të komunave nëpërmjet peticionit u miratua pasi nëpërmjet protestave, serbë të veriut kundërshtuan zgjedhjen e autoriteteve lokale që morën mandatin në procesin elektoral, i cili u bojkotua nga Lista Serbe.
Për shkak të hyrjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale – me asistimin e policisë së Kosovës – në fund të majit, serbët lokalë organizuan protesta në Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan.
Edhe
Iniciuesit e peticionit në Zubin-Potok pretendojnë se i kanë nënshkrimet për shkarkimin e kryetarit
Tensionet u përshkallëzuan në dhunë më 30 maj në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të plagosur dhjetëra persona nga të dyja palët.
Bashkësia ndërkombëtare në krye me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet. Nga Prishtina kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërkaq nga Beogradi që të inkurajojë serbët të marrin pjesë në procesin zgjedhor.