Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po sulmon aktivistë të shoqërisë civile që dikur i ka ftuar në lista zgjedhore. Ai ka reaguar pasi anëtari i KQZ-së nga LVV, Alban Krasniqi, ka akuzuar shoqërinë civile për deformim të punës së KQZ-së, duke thënë se mbështesin ata që shkelin Kushtetutën dhe rendin.
Cakolli ka shtuar se sulmet ndaj shoqërisë civile do të vazhdojnë sepse për shumicën prej politikanëve, mbajtja gjallë e temave që ndërlidhen me Serbinë “është oksigjeni i vetëm politik që u ka mbetur”.
“Akuzat ndaj shoqërisë civile si ‘mbrojtëse e Serbisë dhe kriminelëve të tyre’ janë thjesht demagogji dhe patriotizëm i rremë. Ironia është se shoqëria civile përbëhet nga organizata dhe aktivistë që figurat kryesore të LVV-së deri dje i lartësonin dhe citonin publikisht, e madje i ftonin në lista zgjedhore si front i përbashkët politik. Këto sulme me gjasë do të vazhdojnë. Jo pse shoqëria civile ka ndryshuar kurs, por sepse për shumë prej tyre – sidomos këta të “zëshmit” – mbajtja gjallë e temave që disi ndërlidhen me Serbinë është oksigjeni i vetëm politik që u ka mbetur. E po ua hoqe këtë kartë, për çfarë “suksesi” tjetër do t’i njihte publiku?” ka shkruar në Facebook.
Krasniqi i VV-së u ishte drejtuar përfaqësuesve të shoqërisë civile gjatë mbledhjes së 21 gushtit se po tallen me punën e KQZ-së.
“Kur keni mungesë të informacioneve. i merrni ato informacione nga dora e parë dhe i lexoni mirë dhe nëse keni dëshirë me ardhë në KQZ vini përmes rrugëve ligjore dhe hajde kontribuoni si shoqëri civile. Por jo me tallje, për anëtarët dhe për punën e KQZ-së derisa ju paguheni dhe keni marrë qindra mijëra euro për ta mbështetur institucionin tonë”, ka thënë Krasniqi në mbledhjen e 21 gushtit.