Arbëri

Cakolli: Po ka skepticizëm nga të dy taborët për formimin e qeverisë së re

Eugen Cakolli

Eugen Cakolli nga KDI-ja vlerëson se po ka hezitim nga të dy taborët - si nga Vetëvendosje ashtu edhe nga tri partitë që ishin opozitë në 4-vjeçarin e fundit, PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja -  nëse duhet futur në qeveri të re. 

“Këtu ndikojnë dinamikat në raport me procesin e dialogut, ndryshimet në administratën amerikane e së treti po flasim praktikisht për një qeveri e cila sfidë të parë do të ketë në disa muaj, në shtator-tetor me zgjedhjet lokale e një vit prej tash do ta ketë sfidën kryesore, atë të zgjedhjes së presidentit”, ka thënë Cakolli në "Interaktiv" të KTV-së. 

Ai ka thënë se sipas përllogaritjeve më realiste, Vetëvendosje do të merrte në total 49 ulëse në Kuvend nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Cakolli sheh një hezitim të LVV-së për të krijuar klimë bashkëpunuese me partitë opozitare e edhe një hezitim nga partitë që ishin në opozitë që të bëhen bashkë. 

“Kjo mund të jetë ajo që në fakt do z. Kurti në raport me to. T’i bëjë bashkë edhe njëherë dhe pas dështimit të zgjedhjes së presidentit, të ketë kapital të jashtëzakonshëm politik në zgjedhjet potenciale të ardhshme”, tha Cakolli. 

Cakolli ka thënë se beson që institucionet e reja mund të konsolidohen në fillim të verës.

Sa i përket procesit zgjedhor, Cakolli tha se deri te mbyllja e vendvotimeve ka shkuar mirë, por më pas është lënduar nga dështimi i serverit të KQZ-së në uebfaqe ku publikohen rezultatet. 

Ai ka thënë se KQZ-ja ka dështuar dhe është dashur ta pranojë këtë e të shpjegojë hapat që garantojnë integritetin e procesit zgjedhor. Ai ka thënë se problemet që janë shfaqur pas mbylljes së vendvotimeve, si dështimi i serverëve e po ashti vonesa në hapjen e qendrave komunale të numrimit të votave, lëndojnë procesin.